Lajme

Shpërthimi në Vlorë, biznesmeni Alushaj sillet në Tiranë

Biznesmeni i ndërtimit, Agron Alushaj, që mbeti i lënduar pas shpërthimit të makinës nga lënda plasëse është transportuar me urgjencë drejt spitalit të Traumës në Tiranë për një mjekim më të specializuar.

Mësohet se transportimi i tij është bërë rreth orës 04:00 të mëngjesit të sotëm (24 nëntor), ndërsa gjendja e tij shëndetësore është kritike për jetën.

Makina në të cilën udhëtonte 48-vjeçari u hodh në erë nga një sasi e konsiderueshme eksplozivi rreth orës 16:35 të pasdites së të premtes, 23 nëntor 2018, në rrugën Transballkanike.

Sipërmarrësi 48-vjeçar, pronar guroresh dhe biznesmen me aktivitet ndërtimi në Vlorë, ka dëmtime të mëdha në të dyja këmbët.

Shpërthimi i fortë ndodhi në momentin kur automjeti po dilte nga një lavazh, ndërkohë që 48-vjeçari ishte në drejtimin e makinës.

Policia ka shoqëruar të gjithë punonjësit e lavazhit dhe ka sekuestruar kamerat e sigurisë, ndërsa në ndihmë të hetuesve të Vlorës janë nisur edhe ekspertë nga Tirana.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë