Bota

Shpërthimet në Krime, fotot satelitore tregojnë 7 avionë luftarakë rusë të shkatërruar

Gazeta Si - Të paktën shtatë avionë luftarakë të Moskës u shkatërruan në shpërthimet e dhunshme që goditën bazën ushtarake ruse në Saki në Krime të martën.

Kështu pretendon CNN, bazuar në fotot satelitore të publikuara nga “Planet Lab”.

Incidenti është ende i mbuluar me një atmosferë misteri. Në fillim, burimet ukrainase morën përgjegjësinë për sulmin, por më pas ministria e Mbrojtjes e mohoi lajmin, duke deklaruar se forcat e Kievit nuk janë përgjegjëse për shpërthimet.

Ministria ruse e Mbrojtjes, nga ana tjetër, pretendoi se shpërthimet ishin shkaktuar nga municionet e forcave ajrore, të cilat shpërthyen, por pa shpjeguar se çfarë i shkaktoi shpërthimet.

Siç raportoi CNN, një imazh satelitor i 9 gushtit, para shpërthimeve, tregon disa avionë luftarakë brenda zonave të vogla të hapura në bazën ajrore Saki.

Imazhi satelitor i 10 gushtit, pas shpërthimit, tregon mbetjet e djegura të të paktën shtatë avionëve, ndërsa kushtet e dy avionëve të tjerë janë të paqarta.

Në foto mund të shihen edhe katër kratere të shkaktuara ndoshta nga shpërthimet, si dhe shenja të dukshme të zonave të djegura të bazës.

Sipas ekspertëve të kontaktuar nga CNN, në historinë e forcave ajrore ruse dhe sovjetike që nga Lufta e Dytë Botërore nuk ka pasur kurrë një ditë me kaq shumë humbje automjetesh, edhe nëse të dhënat e disponueshme janë ende të pakta.

Burime në Kiev disa orë para se të publikohej fotografia satelitore, kishin folur për nëntë avionë të shkatërruar. Numri zyrtar i rusëve është një i vdekur dhe 14 të plagosur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë