Motosport

Shpërthen Vershtapen: Hemilton antisportiv, unë në spital dhe ai festonte

Maks Vershtapen është mirë, ka dalë në mbrëmje nga spitali i Koventrit. Pasi ka falënderuar mjekët për kujdesin që treguan ndaj tij, holandezi ka shpërthyer ndaj Ljuis Hemiltonit, duke i konsideruar festimet e tij për fitoren në Silverston pa respekt dhe antisportive, në një moment kur rivali i tij ndodhej në spital.

Në xhiron e parë të garës së Silvertonit, Hemilton ishte protagonist i një kontakti me Maks Vershtapen, çka i kushtoi këtij të fundit përplasjen me barrierat dhe tërheqjen nga gara. Kampioni i botës, që u penalizua me 10 sekonda, tha pas garës së ishte treguar pak agresiv, por sipas tij, ia kishte lënë Vershtapenit hapësirën. Nuk janë dakord me këtë variant te Red Bull-i, ku veprimi i Hemiltonit është konsideruar i rrezikshëm.

Vetë Vershtapen, më shumë se me incidentin, e ka inatin me sjelljen e anglezit pas garës. Vershtapen ka bërë një postim në rrjetet sociale, ku e sulmon ashpër rivalin e tij. “Jam i lumtur, sepse jam mirë, por jam i zhgënjyer për mënyrën si u nxora jashtë gare.

Penalizimi nuk na ka ndihmuar në asnjë mënyrë dhe nuk veri drejtësi për manovrën e rrezikshme të Ljuisit në pistë. Po shikoja nga spitali festimet e tij, ishte mungesë respekti, një sjellje antisportive, por ecim përpara”, - ka shkruar Vershtapen, i cili vazhdon të udhëheqë renditjen e pilotëve në Formula 1.

Ljuis Hemilton feston fitoren në Silverston. Gazeta Si, 19 korrik 2021

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë