Lajme

Shpërthen bombola e gazit, vdes nëna me dy fëmijët. Plagoset vajza 16 vjeçare

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Bulqizë, ku si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi kanë humbur jetën 3 persona të së njëjtës familje si dhe është plagosur një tjetër.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur në fshatin Guri të Bulqizës, në banesën e Ylber Tolës.

Kryetari i Bashkisë së Bulqizës Lefter Alla ka pohuar se kanë humbur jetën nëna rreth moshës 42-45 vjeç, vajza 19 vjeç, dhe djali 14 vjeç.

“Bëhet fjalë për një ngjarje tragjike familjare, ka humbur jetën e nëna me dy fëmijët, ndërsa ajo që ka mbijetuar është vajza 16 vjeç dhe është në ambulancë dhe është duke u transportuar në spitalin e Bulqizës", është shprehur Alla.

Ndër të tjera, ai është shprehur se policia është duke hetuar për shkaqet e ngjarjes, por tha se nga komunikimet me fqinjët, dyshohet të jetë shpërthim i bombolës së gazit ose asfiksi nga rrjedhja e gazit.

“Është ende e paqartë nëse bombola ka shpërthyer apo kemi të bëjmë me rrjedhje gazi, por po merren organet e policisë.

"Nga komshinjtë na rezulton të jetë ose shpërthim ose rrjedhje e gazit dhe asfiksi nga gazi, policia po heton. Ne u njohëm me ngjarjen përpara një ore, nuk e di se kur ka ndodhur. Po shqetësohemi më shumë tani për të mbijetuarën. E mbijetuara për një periudhë shumë të shkurtër do të jetë në spitalin e Bulqizës, kushtet e motit janë të pafavorshme për ngritjen e helikopterit”, është shprehur Lefter Alla, kryetar i Bashkisë së Bulqizës.  

Ndërkohë janë zbuluar detaje të reja nga ngjarja. Rajmonda Tola, e cila humbi jetën bashkë me vajzën Rudinën dhe Fatjonin, ka humbur jetën nga rrjedhja e gazit, ndërsa vajza tjetër Merita është në spital në gjendje të rëndë.

Ka qenë kunata e saj që ka zbuluar tragjedinë, pasi kur shkoi t’u hidhte bagëtive për të ngrënë rreth orës 11:30, trokiti në derën e familjes dhe askush nuk iu përgjigj. 

Pas tentativave për të hapur derën, ajo njoftoi fqinjët e saj, të cilët me forcë kanë hyrë brenda, por u përballën me skenën e rëndë.

Mësohet se nëna Rajmonda bashkë me dy fëmijët kishin ndërruar jetë në banesë, ndërsa vajza e vogël kishte shenja jete dhe u transportua në spital. Nëna me 3 fëmijët jetonin të vetëm, pasi burri ishte emigrant në Greqi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë