Njerez

Shpërblimi “dembelos” të papunët! Dështon testi finlandez

Dhënia e një shpërblimi mujor për të papunët në Finlandë nuk çoi në punësiimin e tyre. Nga janari i 2017 deri në dhjetor të 2018, 2 mijë të papunë u përzgjodhën përmes një lotarie për të përfituar 560 euro në muaj.

Më shumë sesa financiar, synimi i nismës së Institutit të Sigurimeve Shoqërore të Finlandës, një agjenci e Qeverisë, ishte testimi nëse një shumë minimale bazike mujore do të kultivonte kulturën e punës tek “dembelët” dhe do t’i nxiste ata që të punonin.

logo hippo

Rezultati ishte negativ. Fondi modest për të ardhurat e Finlandës i shpërndarë për 2 mijë personat jo vetëm që nuk nxiti dëshirën e tyre për të punuar, por i “dembelizoi” më tepër ata. Nga sondazhet e kryera në përfundim të këtij 2-vjeçari vërtet papunësia mes 2 mijë personave të përzgjedhur nuk u ul, por ama u rrit lumturia. Pjesa më e madhe e të anketuarve thanë se ndjeheshin më të lumtur dhe më pak të stresuar me shpërblimin në fjalë dhe nuk e shihnin “të arsyeshme” kërkimin e një pune të qëndrueshme.

Skema e Institutit të Sigurimeve Shoqërore finlandez (KELA) tërhoqi mënjëherë vëmendjen e vendeve të tjera, sidomos atyre në Perëndim. Nisma, megjithëse bëhej fjalë për një projekt pilot, u përshëndet dhe u vlerësua si një hap drejt përmbushjes së të drejtës për të siguruar një të ardhur bazike universale për të gjithë qytetarët.

Megjithatë, qeveria finlandeze ishte e vetëdijshme që në fillim që në kushtet aktuale sigurimi i një të ardhure të tillë është i pamundur financiarisht, ndërkohë që veç termit “të ardhur bazike universale” qarkullon edhe termi “shërbimet bazike universale”, që ka të bëjë me ofrimin falas për të gjithë qytetarët të edukimit, shëndetësisë dhe transportit.

Që të dy termat nuk janë një risi. Për herë të parë përkufizohen në librin “Utopia” të Thomas More, në vitin 1516. Por u deshën 503 vite që qeveritë e para të testonin realizimin e tyre. Kështu, në një fshat perëndimor të Kenia, banorëve u jepen 22 dollarë në muaj për 12 vite, ndërkohë që qeveria italiane është duke prezantuar atë që njihet si “e ardhur për qytetarin”. Në Holandë, një testim të ngjashëm si finlandezët është duke u ndërmarrë nga pushteti vendor në Utreht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë