Politike

Shpallja e emergjencës, përplasje e moderuar në distancë Rama-Basha

Kryeministri Edi Rama e cilësoi formal aktin e shpalljes së gjendjes së emergjencës, duke nënkuptuar se miratimi i kësaj gjendjeje nuk do të sillte asnjë gjë më shumë nga sa vepruan autoritetet dhe solidarizimi i partnerëve ndërkombëtarë dhe qytetarëve në këtë ditë të vështirë.

“Nuk kemi pasur kohë të mendojmë për aspektet formale. Ne kemi dhënë dhe po japim gjithccka, ditën dhe natën. Nuk jemi Franca, Gjermania, as Greqia dhe Italia që kanë eksperienca të gjata në këto sfida, por më lejoni të jem mirënjohës", u shpreh ai.

Shpallja e gjendjes së emergjencës është shqiptuar dy herë gjatë ditës nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë takimeve me banorët e prekur nga tërmeti në Thumanë. Rama nuk përmend Bashën, por flet për persona që ‘cysin’ (ngacmojnë) edhe në një ditë si kjo.

Kreu i PD, Lulzim Basha, duke vizituar familjet e prekura nga tërmeti në zonën e Durrësit. Gazeta Si 26 nëntor 2019

“Nejse, ju (gazetarët) jeni të pafajshëm. Të fajshëm janë ata që vijojnë të cysin edhe sot. Ne do t’i vlerësojmë të gjitha. Por, një gjë është e sigurt, këta njerëz do të trajtohen në mënyrë dinjitoze nga strehimi”, vijoi ai.

Edhe Lulzim Basha u përpoq që të lërë menjanë politikën.

“Dy herë i kam bërë thirrje qeverisë të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore, por sot nuk është dita për të drejtuar gishtin. Edhe njëherë dua t’i bëj thirrje çdo shqiptari të ndihmojnë sa të munden. Falenderoj të rinjtë që kanë sjellë ushqime dhe batanije për personat e prekur, si dhe Aleancën për Teatrin, që ka sjellë ndihmat nga Tirana”, tha kreu i PD-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë