Politike

Shorti i KED “ngushëllon” Arta Markun dhe Fatjona Memçajn

Shorti i hedhur nga Presidenti Ilir Meta për përzgjedhjen e 9 anëtarëve të rinj të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi kishte vetëm një të njohur, atë që Ardian Dvorani do të ishte sërish anëtar dhe njëkohësisht edhe kryetar i këtij Këshilli edhe për vitin e ardhshëm.

Dvorani ishte i vetmi emër i dorëzuar nga Gjykata e Lartë për pozicionin e një anëtari, që njëkohësisht ligji ja lë po kësaj gjykate edhe postin e kryetarit. Por, interesante ishte zbulimi i goglave për dy anëtarët që dalin nga Gjykata Kushtetuese. Kjo gjykatë kishte dorëzuar katër emra. Vitore Tusha, Fiona Papajorgji, Elsa Toska dhe Marsida Xhaferllari ishin emrat që u vendosën nëpër goglat e hedhura nga Presidenca.

Në fund, goglat zgjodhën Fiona Papajorgjin dhe Vitore Tusha, ndërsa anëtarja e Gjykatës Kushtetuese e kontestuar nga mazhoranca, Marsida Xhaferllari u zgjodh anëtare zëvendësuese.

Ndërkohë, Arta Marku u rizgjodh në këtë pozicion me probabilitetin 1 në 11, si anëtare e Prokurorisë së Përgjithshme, ku zëvendësues goglat përcaktuan Bilbil Metën. Nga prokuroritë e Apelit u zgjodhën Fatjona Memçaj dhe Ludovik Doda. Zgjedhja, si e Markut dhe e Memçajt është një “ngushëllim” për dy kandidatet për kryeprokurore që e humbën garën me Olsian Çelën në Parlament.

Ndërkohë, nga Gjykatat e Apelit u zgjodhën Saida Dollani dhe Miranda Ndoni, ndërsa Arjan Qafa nga gjykatat administrative.

Shorti u hodh pas serisë së akuzave mes Presidentit Ilir Meta dhe kreut të KED-së, Ardian Dvorani për procedurat dhe afatet kohore të ndjekura në rastin e emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti Ilir Meta gjatë hedhjes së shortit për KED në mes të Avokates së Popullit, Erinda Ballanca dhe kreut të KLP, Gent Ibrahimi. Gazeta Si, 5 dhjetor 2019

E gjithë ceremonia e shortit u hodh në prani të Presidentit Ilir Meta, që ndodhej në mes të Avokates së Popullit, Erinda Ballanca dhe kreut të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi. Procesi u drejtua nga këshilltari juridik i Presidentit, Bledar Dervishi, ndërsa në fund të tij, vetë Meta e vlerësoi përmes një reagimi në rrjetet sociale si tejet transparent procesin dhe kërkoi nga KED-ja e re të njëjtin nivel transparance.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë