Futboll

Shorti i Championsit/ Milani ‘peshkon’ Napolin, Interi me fat gjen Benfikën

Gazeta Si – Një skuadër italiane është e sigurt në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, pasi goglat kanë vënë përballë njëri-tjetrit Milanin dhe Napolin. Fituesi i këtij çifti do të ndeshet me shumë mundësi me Interin, që pati fat në short, teksa do të luajë me Benfikën në çerekfinale.

Shorti i hedhur sot në Nion ka dhënë verdiktin për 8 skuadrat çerekfinaliste. Përballja më e fortë, të paktën në letër, është ajo mes Mançester Sitit dhe Bajernit të Mynihut, me Pep Guardiolën që gjen ish-skuadrën e tij. Kampionët në fuqi të Realit do të ndeshen me Çelsin.

Shorti i hedhur sot ne Nion. Gazeta Si, 17 mars 2023

Shorti i çerekfinaleve
Sfida 1: Real Madrid-Çelsi
Sfida 2: Benfika-Inter
Sfida 3: Mançester Siti-Bajern Mynih
Sfida 4: Milan-Napoli

Gjysmëfinalet
Sfida 4-Sfida 2
Sfida 1-Sfida 3

Nga kjo fazë e më tej shorti ishte totalisht i lirë, nuk kishte koka serie dhe skuadrat e të njëjtit vend mund të përballeshin mes tyre. Po ashtu, mund të përballeshin edhe skuadra që kanë qenë në të njëjtin grup. Në shortin e sotëm janë përcaktuar edhe gjysmëfinalet dhe skuadra pritëse e finales së Stambollit.

Ndeshjet e para çerekfinale të Ligës së kampionëve luhen më 11 dhe 12 prill, kurse ato të kthimit më 18 dhe 19 prill. Gjysmëfinalet zhvillohen më 9-10 dhe 16-17 maj. Finalja luhet të shtunën e 10 qershorit në stadiumin olimpik ‘Atatürk’ të Stambollit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë