Futboll

Shorti/ Havier Zaneti: Çlirim që shmangëm Milanin, me derbin qyteti nuk fle

Gazeta Si – Zëvendëspresidenti i Interit, Havier Zaneti, është dukur entuziast pas shortit të Ligës së Kampionëve, që vuri përballë zikaltërve Benfikën. Ka pasur shorte më të këqija, prandaj dhe tek Interi janë të ndërgjegjshëm se kanë në duar një rast shumë të mirë për të bërë akoma rrugë në Champions.

Fytyra e drejtuesit të Interit ishte e buzëqeshur, edhe pse ai ka bërë apel për të mos e nënvlerësuar Benfikën. "Ata kanë një skuadër të fortë, që po konfirmon në Champions atë që po bën mirë në kampionat.

Nga ndeshja mes Interit dhe Portos ne Champions. Gazeta Si, 17 mars 2023

Benfika ka lojtarë me kualitet dhe duhet t’i përgatisim ndeshjet në mënyrën më të mirë. Kanë shumë rëndësi detajet në Champions, ndaj dhe duhet motivim dhe forcë mentale”, - tha fillimisht Zaneti.

Argjentinasi është i kënaqur edhe për faktin që në short u shmang derbi me Milanin: "Është një çlirim për momentin që nuk do kemi një derbi me Milanin. Sepse në këto raste qyteti nuk fle. Por mund të ndodhë në gjysmëfinale… Tre skuadra në çerekfinale është një fakt shumë i rëndësishëm për futbollin italian”.

Barezi me Maldinin dhe Masaren. Gazeta Si, 17 mars 2023

Për sfidën mes Milanit dhe Napolit ka folur një nga legjendat e klubit kuqezi, Franko Barezi, i cili ka theksuar: “Napoli është një skuadër shumë e fortë, po e tregon në kampionat. Do të jetë shumë e vështirë, por ne jemi Milani. Historia jonë na ndihmon për të kaluar sfidat në Champions”.

Në anën tjetër, trajneri i Napolit, Luçiano Spaleti, është shprehur: “Nuk doja që të ndesheshim me një skuadër italiane. Për ne nuk është një short i lehtë. Milani ka eliminuar Totenhemin dhe kjo do të thotë se është aspak e lehtë për ne”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë