Futboll

Shokon trajneri Poter: Tifozët e Çelsit duan fëmijët e mi të vdekur!

Gazeta Si – Denoncimi i trajnerit të Çelsit i ka shokuar të gjithë. Ai është në shënjestër të tifozëve për rezultatet e dobëta, por duket se dikush ka kaluar çdo limit human.

Kërcënime me vdekje me e-mail për të dhe fëmijët e tij nga tifozët e Çelsit. Tifozët e tij. Graham Poter, i cili që prej shtatorit drejton blutë e Londrës, i ka shokuar të gjithë, teksa ka treguar atë që ka ndodhur.

Për krizën e skuadrës trajneri konsiderohet si shkaktari kryesor, ndaj dhe ata e urrejnë. “Kam mbështetjen e pronarëve, të skuadrës dhe të një pjese të tifozerisë, por kohët e fundit ka marrë mesazhe që më urojnë vdekjen. Dhe duan edhe vdekjen e fëmijëve të mi”, - është shprehur trajneri 47-vjeçar.

Graham Poter, trajneri i Çelsit. Gazeta Si, 25 shkurt 2023

Poter është prej kohësh në shënjestër. Pas ‘muajit të mjaltit’, Çelsi ka nisur një rënie të frikshme, që e ka çuar në vend të 10-të në renditjen e Premier Ligës. Fundi ishte humbja e fundit në ‘Stamford Bridge’ me Sauthemptonin, vendi i fundit në klasifikim. Pas asaj humbjeje, tifozët kanë vërshëllyer ekipin dhe trajnerin.

Por ata kanë shkuar më tej. Poter ka folur për një e-mail, që e ka tronditur jo pak. Përveç atyre kërcënuese, në këtë e-mail fëmijët e tij nuk thirreshin me emër, por me një pseudonim vulgar.

“Nuk është mirë, kur shkon në punë dhe ofendohesh nga dikush. Mund të thosha se nuk më intereson, por do të gënjeja, është e lehtë të kuptohet. Dua të kem sukses këtu dhe jam i bindur se do t’ia dal. E kuptoj që tifozët nuk janë të kënaqur, sepse skuadra nuk po fiton, por dua të them se jeta ime në 3-4 muajt e fundit nuk ka qenë aspak e lehtë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë