Drejtësia

Shleu dënimin, lirohet nga qelia ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci

Gazeta Si - Ish-kryebashkiaku socialist i Fushë-Arrëzit, Fran Tuci, i dënuar për shpërdorim detyre është liruar nga qelia, pasi GJKKO pranoi kërkesën e avokatëve të tij për shuarjen e dënimit.

Në tetor 2023, Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e dënoi Tucin me 1 vit e 6 muaj burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul me 1 vit burgim. Sipas GJKKO-së, Tuci ka shlyer dënimin e 1 vit e 6 muaj me kohën e qëndrimit në paraburgim.

Sipas SPAK, Tuci së bashku me ish-kreun e Njësisë Administrative Iballë, Ndoc Marku kanë dëmtuar një sipërfaqe të madhe pyjore duke hapur një segment të ri rrugor në kundërshtim me ligjin.

Punimet e kryera nga administratori i një subjekti privat gjithashtu ka dëmtuar rëndë terrenin që i përket këtij fondi pyjor. Dëmi i përllogaritur nga IKMT Shkodër, pas inspektimit të kryer në terren, kap vlerën e 234,007,500 Lekë.

Ish-kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit, Fran Tuci u arrestua më 13 Korrik të vitit 2023 me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, e cila ngriti ndaj tij akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

Për të njëjtën akuzë asokohe në masën e sigurisë “Arrest shtëpie” u vendos edhe ish-administrator i Njësisë Administrative Iballë, Ndoc Marku.

Ndërsa për veprën penale “Shkatërrim i pronës” nën hetim me masë detyrim për t’u paraqitur u vu administratori i një subjekti tregtar privat, Durim Markgjekaj. Hetimet për rastin nisën nga Prokuroria e Pukës, e cila më pas ka dërguar për kompetencë çështjen në SPAK.

Sipas organit të akuzës, Fran Tuci ka shpyllëzuar një zonë të madhe në bashkinë që drejtonte, duke ndërtuar një segment rrugor, për të cilën ai vetë thotë se i është kërkuar nga qytetarët e zonës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë