Lajme

Shkup, falen deputetët e sulmeve të përgjakshme në parlament

Ashtu siç ishte parashikuar, qeveria e Zoran Zaev ka falur të gjithë deputetët e përshirë në sulmet e përgjakshme ndaj parlamentit maqedonas, “preja” kryesore e të cilëve ishin atë ditë deputetët shqiptarë, por edhe lideri i LSDM-së, sot shef i ekzekutivit.

Mbrëmjen e së martës, Kuvendi i Maqedonisë ka miratuar ligjin për amnistinë e deputetëve që bashkëpunuan me huliganët që sulmuan Kuvendin më 27 prill të vitit 2017. Ligji kaloi me 95 vota pro, dhe u votua edhe nga deputetët e VMRO-DPMNE-së edhe pse paraprakisht shumica parlamentare hodhi poshtë një amendament të saj për amnisti të përgjithshme. Ligji i miratuar bën të mundur faljen e të gjithë personave që nuk janë përfshirë direkt të dhunën në Kuvendin e Maqedonisë, por jo të organizatorëtve dhe ata që morën pjesë në aktet e dhunës.

Nga ky ligj pritet të përfitojnë 30 persona, të cilët kanë 5 ditë afat që të konfirmojnë nëse pranojnë të falen apo do të ndjekin rrugën gjyqësore për të dëshmuar ose jo fajësinë. Siç bëhet e ditur, nga amnistia përjashtohet ish-drejtori i drejtorisë së sigurimit publik, Mitko Çavkov dhe ish-drejtori i drejtorisë së sigurisë dhe kundërzbulimit, Vlladimir Atanasovski. Ligji për amnisti është kundërshtuar nga Zijadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët, i cili u dhunua rëndë nga një grup protestuesish, anëtarë dhe simpatizantë të VMRO-së.

Pavarësisht kritikave nga ekspertët politikë, gjyqësorë dhe ata të drejtave të njeriut se një hap i tillë do të nënkuptonte ndërhyrjen në punën e gjyqësorit, një praktikë që qeveria e Zaevit premtoi t’i jepte fund kur mori pushtetin në maj të vitit të kaluar, kryeministri Zaev ka vendosur të cojë deri në fund premtim që i dha opozitës.

Anëtarët dhe simpatizantët e partisë VMRO DPMNE sulmuan një vit më parë parlamentin në një përpjekje për të ndaluar zgjedhjen e Talat Xhaferit si kryetari i ri i Parlamentit. Gjatë këtij incidenti të dhunshëm u plagosën edhe disa deputetë shqiptarë, përfshirë edhe Ziadin Zelën, pasi ata ishin shënjestra kryesore e votuesve. Më shumë se 100 persona mbetën të lënduar, përfshirë Zaevin, deputetë të partisë së tij dhe gazetarë.

Kritikët kanë akuzuar Zaevin se ka bërë “tregti” me rregullat e sundimit të ligjit në këmbim të votave të opozitës në mënyrë që të arrijë miratimin e marrëveshjes me Greqinë, e cila do të hapte rrugën e integrimit euroatlantik të Maqedonisë.

“Unë jam i gatshëm të paguaj çmimin politik,” ka deklaruar ai gjatë muajit të shkuar.

Lajmi që zhgënjeu shumë prej qytetarëve erdhi pas një sërë takimesh mes kryeministrit dhe komisionit parlamentar mbi pajtimin, i cili ka për detyrë të propozojë disa hapa për pajtimin kombëtar pas viteve të tëra të krizës politike. Trupa u formua me iniciativën e tetë deputetëve të opozitës që u përjashtuan nga VMRO DPNNE pasi mbështetën marrëveshjen e emrit. Por ata deklaruan se nuk do t’i ofronin mbështetje të mëtejshme kryeministrit Zaev nëse ai nuk u ofronte amnisti. Tre nga tetë deputetet e VMRO-së ndodhen tanimë në gjyq për përfshirjen në sulmin ndaj parlamentit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë