Politike

Shkrirja e Albanologjisë, Zhupa: Shkelen liritë akademike. Kushi: Studiues të nderuar por kanë dështuar institucionalisht

Shkrija e Akademisë së Studimeve Albanologjike është bërë temë diskutimi ditën e sotme në Kuvendin e Shqipërisë. Në fjalën e saj deputetja demokrate Ina Zhupa u shpreh se shkrirja e Studimeve Albanologjike shkel liritë akademike dhe vlerësimi nuk është bërë siç duhet.

“Ju çoni një ekip vlerësimi me një metodologji vlerësimi dhe i thoni që nuk i plotësoni këto kritere. Vetë Akademia ka 30% formim dhe 70% kërkim shkencor. Ka mungesë të vlerësimit të punës aty. Ju thoni nuk ka akreditim. Keni ndërprerë një proces, ata sot janë në një proces akreditimi dhe me VKM-në tuaj e ndërpretë atë vendim”, tha Zhupa.

Në përgjigje, Ministrja e Arsimit, Evis Kushi tha se është ASA ajo që nuk ka pranuar që të riorganizohet sipas ligjit. Sipas saj, disa nga shkeljet që janë gjetur gjatë vlerësimit janë mungesa e dokumentacionit edhe për mënyrën se si kanë punësuar personel administrativ dhe nuk kanë audit.

“Jemi në kushtet kur janë në paligjshmëri. Janë studiues të nderuar por institucionalisht kanë dështuar. Kishin 7 vite kohë që të akreditohen dhe nuk e bënë. Edhe nëse duan të akreditohen tani, nuk e bëjnë dot sepse nuk janë në rregulla me ligjin. Prandaj nuk e kanë bërë akreditimin deri më tani sepse e dinin se nuk do të akreditoheshin”, tha Kushi.

Ina Zhupa përmendi edhe faktin se 100 studiues dhe pedagogë në të gjithë botën janë kundra bashkimit të dy Akademive. Kushi u përgjigj duke thënë se nga 55 anëtarë të Akademisë së Shkencave, gjysma janë punonjës aktual të Akademisë Albanologjike.

“Pjesa më e madhe e ASA-s janë dakord me vendimit sepse janë bashkëpunëtorë në projektet e mëdha. Edhe vetë rektori Luan Përzhita është anëtar i ASH dhe pjesë e grupit të punës në projektin e historisë së Shqipërisë”, tha Kushi duke shtuar se “është nder për  e që ti kemi studiuesit dhe akademikët bashkë për të punuar për projekte të mëdha, siç janë projektet që kemi me Akademinë e Shkencave të Kosovës”.

Deputetja Zhupi tha se ASA ka kërkuar disa herë që të hapin cikël bachelor por Ministria nuk ka pranuar me pretekstin se nuk ka treg.

Në përgjigje, Kushi përmendi se ASA ka kërkuar që të hapen programe por nuk kanë një fakultet dhe për pasojë nuk i lejon ligji, “jo se nuk i ka pranuar ministria”.

Ndërkohë, Zhupa tha se ligji i akademisë së shkencave njeh vetëm institute afatshkurtër dhe afatgjata por nuk janë të përhershme, çka vë në rrezik të gjithë anëtarët e ASA-s. Gjithashtu, sipas Zhupës, ASH nuk ka kompetencat për të mbyllur marrëveshjet që ka nisur Akademia e Albanologjisë dhe të gjitha marrëveshjet që kanë nisur do të mbyllen.

“Ata kanë projektet e tyre dhe ju po u thoni që të lënë projektet e tyre për të përfunduar projektet tuaja. Përveç këtyre, nuk ka një sistem avancimi në karrierë pranë ASH, një shqetësim shumë i madh i anëtarëve të ASA-s”, tha Zhupa duke shtuar se ASA duhet të bashkohet me një IAL, duke qenë se i prek i njëjti ligj.

Në përfundim, Zhupa tha se çështjen do e ndjekin në Gjykatën Administrative dhe Kushtetuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë