Arsim

Shkrirja e 12 drejtorive arsimore, zbardhet vendimi i qeverisë


Në Shqipëri do të ketë 4 drejtori rajonale Arsimore, duke sjellë shkrirjen 13 Drejtorive që kanë funksionuar në 12 qarqet e vendit. Shkrirja bëhet mbi bazën e një organizimi të ri që po ndërmerr qeveria, por një nismë e tillë është kontestuar së tepërmi nga opozita dhe kryetarët e bashkive të djathta. Durrësi, Fier, Korçë dhe Lezha janë zyrat e reja kryesore sipas VKM-së. Nr. 234 “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së zyrave vendore të arsimit parauniversitar”.
Zyrat rajonale do të kenë nëndarje të veçanta Zyrat Vendore Arsimore, duke i përcaktuar dhe se cilat qytete do të mbulojnë. Sipas VKM-së numri i përgjithshëm i punonjësve të Zyrave Vendore do të jetë të jetë gjithsej 428 vetë, duke e specifikuar shpërndarjen organike dhe gjeografike.

Mbi bazën e vendimit të Qeverisë Zyra Rajonale e Durrësit do të ketë si struktura 4 zyra vendore arsimore të ndara: 1- Tiranë me 25 veta; 2- Durrës me 13 veta.; 3-Dibër, Krujë, Kamzë me 30 veta dhe 4- Bulqizë, Mat, Klos, Shijak, Kavajë, Vorë, Rrogozhinë me 42 veta.
Zyra Rajonale Arsimore e Fierit do të ketë këto 3 zyra vendore të shpërndara si më poshtë: 1- Patos, Roskovec, Divjakë, Mallakastër, Selenicë, Delvinë-Finiq me 36 veta.; 2- Tepelenë-Memaliaj, Përmet-Këlcyrë, Sarandë-Konispol, Lushnjë, Gjirokastër-Libohovë-Dropull me 50 veta; 3-Vlorë-Himarë-Fier me 28 punonjës.
Zyra Rajonale Arsimore e Korçës do të ketë në si strukturë 3 zyra vendore më një shpërndarje gjeografike si më poshtë 1- Ura vajgurore, Kuçovë, Cërrik, Belsh, Peqin, Gramsh, Librazhd, Përrenjas, Maliq, Kolonjë, Devoll me 66 punonjës; 2 -Skrapar-Poliçan, Berat, Korçë-Pustec, Pogradec me 40 punonjës; 3- Elbasan me 14 punonjës në zyrë.
Zyra Rajonale Arsimore e Lezhës që përfshin të gjithë veriun e Shqipëri është 3 zyra vendore e para me rrethet Has, Tropojë, Mirditë, Malësi e Madhe, Vau-Dejës me 30 punonjës dhe e dyta me Pukë – Fushë-Arrëz, Kukës, Lezhë, Kurbin me 40 veta. Ndërsa Zyra vendore arsimore e Shkodër me 14 punonjës.

Faksimile e vendimit të qeverisë për organizimin e Drejtorisë Rajonale Arsimore Fier


Kjo ndarje e re është ndryshe nga funksionimi territorial që operohet në Shqipëri sipas ligjeve. Ligji për “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, i miratuar në 2014 nga mazhoranca e majtë nuk e ka të përcaktuar ndarjen në rajone. “ Njësitë e qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë janë: a) bashki - 61 b) qarqe – 12”, përcaktohet në nenin 1 të këtij ligji.
Opozita e ka kontestuar këtë riorganizim të ri të qeverisë duke deklaruar se kjo shihet si një prapavijë politike. Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi në një letër drejtuar prefektit të Shkodrës, Valdrin Pjetri shprehet e shqetësuar në lidhje me këtë vendim të qeverisë.

Voltana Ademi, kryebashkiakja e Shkodrës

“Bashkia e Shkodrës është një ndër qendrat më të mëdha, me një histori të veçantë në arsim, qytet universitar, me gravitetin më të lartë social, kulturor, ekonomik dhe administrativ në qarkun e Shkodrës dhe në rajon dhe nuk duam ta besojmë që largimi tashmë i dy drejtorive të rëndësishme si ajo për Ujitjen e Kullimin po ashtu edhe drejtorisë për Arkivat, do të pasohet edhe nga largimi i DAR", shkruan Ademi, duke i kërkuar Pjetrit që të ndërhyjë që gjë e tillë të mos ndodhë.
Në lidhje e këtë shqetësim, ministrja e Arsimit, Besa Shahini pati sqaruar opozitën se pse po ndërmerret një organizim të tillë, duke shtuar se kjo bëhet për të mos pasur dy drejtori rajonale në një qytet, nisur nga fakti se Shkodra do të ketë zyrën për Shëndetësinë. “Themelimi i këtyre 4 drejtorive – me zyra në Lezhë, Durrës, Fier dhe Korçë - është bërë duke ndjekur modelin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale - rrjedhimisht vendimi është që mos t’i vendosim 2 drejtori rajonale në të njëjtin qytet. Për shembull, Drejtoria Rajonale e shërbimeve shëndetësore për veriun është në Shkodër, ndërsa ajo për arsimin është në Lezhë. Por Shkodra – si të gjitha bashkitë e tjera – do të ketë zyrën e saj arsimore që mbulon të gjitha shkollat e Bashkisë Shkodër. Pra ideja është që drejtoritë rajonale të shëndetësisë dhe ato të arsimit parauniversitar të jenë në qytete te ndryshme, në mënyrë që sa më shumë shërbime të jenë sa më afër qytetarëve", ka deklaruar Shahini.
Ministrja ka mohuar se do të ketë shkarkime apo largime nga puna. “Me riorganizimin që po bëjmë, secila zyrë arsimore në nivel bashkie do të ketë mundësi të vlerësojë cilësinë e mësimdhënies në shkollë dhe të sugjerojë masa kur cilësia nuk është në nivelin e duhur. Këto 51 Zyra Arsimore do të menaxhohen nga 4 drejtori të vogla rajonale (me nga 15 punonjës) që kanë vetëm rol mbështetës dhe inspektues", ka saktësuar Shahini.

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini


Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi e pati cilësuar të pranueshme një vendim të tillë, duke u shprehur se kjo është dhurata e qeverisë për 110 vjetorin e Normales. “Nuk është vetëm Shkodra, DAR i së cilës kalon në Lezhë, e shqetësuar për këtë skandal. Edhe DAR Elbasan kalon diku larg në Korçë, e shndërrohet në një ZA, sipas një organizimi banal që nuk thotë asgjë e nuk sjell asgjë. Këto lëvizje pa logjikë e kuptim, dëshmojnë krizën ku e ka futur arsimin Rama. Kësisoj, qyteti i Normales së njohur si Universiteti i parë shqiptar, i mësuesve të mirënjohur që kanë mbjellë dije kudo në trevat shqiptare, kalon në varësi të Korçës. Për më tepër, jemi në vigjilje të 110 vjetorit të kësaj shkolle. E kjo dhuratë është e turpshme dhe e papranueshme. Është një lloj çnderimi që i bëhet qytetit, mësuesve të shumë brezave e Normales”, reagoi Boçi.
Ai theksoi se Korça ka traditën e saj, kontributin e saj në shkollēn shqipe dhe vlerën e saj të pazëvendësueshme, por ky nuk është argument, për t’i hequr Elbasanit të drejtën e politikave lokale për arsimin, duke i shkulur Drejtorinë Arsimore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë