Njerez

Shkrimtarja e ‘Si të vrasësh burrin tënd’ dënohet për vrasjen e bashkëshortit

Nga Gazeta Si - Një gjykatës në Oregon (SHBA) ka dënuar Nancy Crampton Brophy, një autore romantike që me sa duket parashikoi krimin e saj në një ese të titulluar “Si të vrasësh burrin tënd”, me burgim të përjetshëm për vrasjen me armë zjarri të bashkëshortit të saj të ndjerë.

Autorja Crampton Brophy, 71 vjeç, u shpall fajtore për vrasje të shkallës së dytë muajin e kaluar.

Kjo e fundit e kishte bërë vrasjen në vitin 2018 për një pagesë prej 1.5 milionë dollarësh.

Përpara krimit të saj, Crampton Brophy kishte qenë një autore e vetë-botuar, romancat e së cilës përfshijnë romane të tilla si “Burri i gabuar” dhe “Dashnori i gabuar”.

Burri i saj i ndjerë, Daniel Brophy, ishte një kuzhinier dhe mësues i respektuar në Institutin Kulinar të Oregonit.

Ai u gjet i vrarë me dy plumba në kuzhinën e Institutit në qershor 2018. Ndërsa e veja e tij u dënua për vrasjen muajin e kaluar.

Rasti tërhoqi shumë vëmendje për një ese që Crampton Brophy kishte shkruar vite përpara krimit, me titull “Si të vrasësh burrin tënd”.

“Gjëja që di për vrasjen është se secili prej nesh e ka atë brenda vetes kur shtyhet mjaftueshëm”, kishte thënë ajo në postimin tashmë të fshirë.

Ajo renditi një sërë mënyrash për të kryer vrasjen e burrit, nga armët dhe thikat te helmet dhe shkruante “është më e lehtë të urosh vdekjen e njerëzve sesa t’i vrasësh ata në të vërtetë”.

Ajo shtoi: “Nëse vrasja supozohet të më lirojë, sigurisht që nuk dua të kaloj asnjë minutë në burg”.

Një gjyqtare vendosi kundër pranimit të esesë si provë në gjyqin e saj, sepse ajo ishte shkruar vite më parë si pjesë e një seminari shkrimi.

Por prokurorët nuk kishin nevojë për tekstin.

Ata argumentuan me sukses se Crampton Brophy kishte motivin dhe mjetet për të vrarë partnerin e saj, duke treguar se çifti kishte kaluar në kohë të vështira financiarisht dhe ajo donte të merrte një pagesë të madhe sigurimi pas vdekjes së tij.

Burri i saj i ndjerë, Daniel Brophy

Crampton Brophy u pa duke vozitur për në dhe nga Instituti në kohën e krimit në pamjet e vëzhgimit të shfaqura në gjykatë.

Dhe megjithëse policia nuk e gjeti kurrë armën e vrasjes, ajo tregoi se kishte blerë një armë të së njëjtës markë dhe model.

Autorja pretendoi se kishte një boshllëk kujtese që nga mëngjesi i vdekjes së Brophy. Megjithatë, ajo nuk mund të mohonte se ishte duke lëvizur nëpër Institut.

Një juri prej 12 anëtarësh e shpalli atë fajtore për vrasje të shkallës së dytë pas diskutimit për më pak se dy ditë.

Dënimi i saj i përjetshëm, i dhënë të hënën, mbart mundësinë e lirimit me kusht pas 25 vitesh. Avokatët e saj thanë se planifikojnë ta apelojnë.

Përpara dënimit, miqtë dhe anëtarët e familjes së kuzhinierit të ndjerë dhanë deklarata.

“Ju zgjodhët të gënjeni, të mashtroni, të vidhni dhe në fund të vrisni njeriun që ishte fansi juaj më i madh”, tha Nathaniel Stillwater, djali i Brophy nga një martesë e mëparshme.

Marrë nga BBC, përshtati në shqip Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë