Njerez

Shkrimtari francez: Gratë mbi 50 vjeç, shumë të moshuara, për t’u dashuruar 

Një shkrimtar francez po kritikohet shumë pasi deklaroi se ishte “i paaftë” të dashuronte një grua pesëdhjetë apo më shumë vjeçare, pavarësisht se edhe ai vetë është pesëdhjetë vjeç. Yann Moix tha për revistën “Marie Claire” se gratë e asaj moshe i dukeshin “shumë të vjetra”. “Parapëlqej trupat e grave më të reja. Kjo është e gjitha. Fund. Trupi i një gruaje 25-vjeçare është i jashtëzakonshëm. Trupi i një gruaje 50 vjeç nuk ka asgjë të jashtëzakonshme”, thotë ai. Komentet ndezën zemëratë në mediat sociale. Marina Foïs, komediane franceze, bëri shaka në një postim në twitter se për shkak se ajo është 49 vjeç, i kanë mbetur  “një vit dhe 14 ditë”, kohë për të fjetur me shkrimtarin. Një tjetër përdorues në twitter u tall, duke thënë se gratë mbi 50 vjeç me gjasë po frymëmerrnin të çliruara nga komenti i tij. Një tjetër komentues do të shtonte: “A mundet që edhe  gratë nën 50 vjeç të jenë të padukshme për ty,  të lutem?” Diku tjetër, disa gra mbi 50 vjeç postuan imazhe  duke treguar vetëbesimin fizik, si shenjë proteste. Gazetarja Colombe Schneck postoi  (dhe më pas e fshiu) një foto të të pasmeve të saj, me diçiturën: “Voila, të pasmet e një gruaje 52 vjeç...ç’torrollak je, nuk e di ç’po humbet...”Të tjerë shpërndanë imazhe të të famshmëve të Hollivudit rreth të të pesëdhjetave, si Halle Berry dhe Jennifer Aniston, për të kundërshtuar komentet e shkrimtarit.

Halle Berry 52 vjeç
Jennifer Aniston, 49 vjeç

Anne Roumanoff, një tjetër komediane franceze, e kritikoi atë në radion “Europe 1”, duke theksuar se romanca nuk kishte të bënte vetëm me “fortësinë e të pasmeve”, por me lidhjen mes dy njerëzve. “Shpresoj se një ditë ai do ta njohë këtë lumturi”, do të shtonte ajo. Moix është prezantues, regjisor dhe shkrimtar i vlerësuar me disa çmime, i njohur për ngjalljen e debateve me komentet e tij, të herëpashershme. Intervista e tij në Marie Claire gjithashtu ngjalli kritika për deklaratat e tij rreth parapëlqimit të grave aziatike, për lidhje romantike – duke specifikuar “koreane, kineze dhe japoneze”, në veçanti. “Është ndoshta e trishtë dhe kufizuese për gratë me të cilat dal, por tipi aziatik është mjaftueshëm i pasur, i gjerë dhe i pafund për mua, që të mos më turpërojë”, i ka thënë ai revistës. Duke iu kundërpërgjigjur zemëratës, ai ka thënë për radion RTL se nuk ishte “përgjegjës” për shijen e tij të grave. “Pëlqej atë që pëlqej dhe nuk kam pse i përgjigjem gjykatës së shijeve”, ka thënë ai përpara se të bënte shaka, se as ai nuk ishte ndonjë kandidat kushedi. “As gratë pesëdhjetëvjeçare nuk m’i hedhin sytë”, ka thënë ai në radio. “Kanë gjëra më të mira për të bërë sesa të merren me një nevrastenik që shkruan dhe lexon gjatë gjithë ditës. Nuk është aq e lehtë të jesh me mua.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë