Lajme

Shkon në 8 numri i viktimave nga koronavirusi; ndërron jetë një 66-vjeçar

Një 66-vjeçar me probleme të tjera shëndetësore është viktima tetë e koronavirusit në Shqipëri. Ai vuante nga sëmundje kronike pulmonare, hipertension dhe hemoragji gastro-intestinale.

Mësohet se viktima nga Fieri trajtohej prej dy ditësh në terapi intensive në Spitalin Infektiv, ndërsa shkaku i vdekjes është infarkti i papritur mëngjesin e së premtes.

Ky është rasti i dytë fatal brenda pak orëve në vendin tonë. Pak para mesnatës, Ministria e Shëndetësisë njoftoi vdekjen e një 85-vjeçareje, gjithashtu me sëmundje të tjera kronike, që ishin rënduar pas infektimit me koronavirusin e ri.

Përveç rasteve të një 43-vjeçari nga Kavaja dhe një 49-vjeçari nga Tirana, të gjitha viktimat e tjera të koronavirusit në Shqipëri janë persona mbi 65-vjeç dhe me probleme të tjera shëndetësore, si tension të lartë, diabet, kancer dhe sëmundje të tjera të mushkërive.

Viktima e parë në Shqipëri u regjistrua në Durrës më 11 mars, kur ndërroi jetë një 73-vjeçare, që kishte pak kohë që ishte kthyer nga Italia. Një javë më vonë, më 18 mars një 66-vjeçar nga Lushnja me probleme shëndetësore u bë viktima e dytë.

Më 22 mars ndërroi jetë një 71-vjeçar nga Kuçova. Edhe për këtë rast, Ministria e Shëndetësisë tha se kishte probleme të tjera shëndetësore, që ishin rënduar nga koronavirusi. Më 23 mars ndërroi jetë një 43-vjeçar nga Kavaja, për të cilin u tha se nuk kishte probleme të tjera shëndetësore, por ishte person mbipeshë. Mjeku Pëllumb Pipero deklaroi se obeziteti është një faktor që ndikon në përkeqësimin e pacientëve me Covid-19.

Tragjedia mori përmasa edhe më të mëdha më 24 maars, kur ndërroi jetë një 49-vjeçar me origjinë nga Puka, por me banim në Tiranë. Ai u tha se kishte patur kontakte me dy pacientët e parë. Më 25 mars ndërroi jetë një 71-vjeçar nga Tirana. Në mbyllje të 26 marsit, Ministria e Shëndetësisë njoftoi viktimën e shtatë, një 85-vjeçareje, po nga Tirana, ndërsa viktima e tetë është 66-vjeçari nga Fieri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë