Me një seri urdhrash, Ministria e Shëndetësisë ka zgjatur pa afat masat shtrënguese të ndërmarra për kufizimin e përhapjes së koronavirusit në vend. Urdhri që ishte në fuqi deri më tani kufizonte në kohë këto masa deri më datën 3 prill.
Është shtyrë pa afat edhe mbyllja e bareve, restoranteve, lokaleve, fast-food dhe kufizimi i shërbimeve që ofrohen nga strukturat akomoduese që ofrojnë shërbim për klientët, si dhe shkollat dhe universitetet.
Vendimi shtyn ndalimin e ndërhyrjeve kirurgjikale në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe në Spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe për ndalimin e komisioneve të vlerësimit të KEMP.
Po ashtu, është shtyrë pa afat deri në përfundim të situatës së emergjencës të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit edhe mbyllja e aktiviteteve publike e jopublike dhe anulimi i grumbullimeve masive në vende të mbyllura, apo të hapura.
Përmes një video-mesazhi ku njoftoi shtyrjen e këtyre masave, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale, Ogerta Manastirliu tha gjithashtu se duke filluar nga 1 prilli të gjitha familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike do ta përfitojnë atë pa qenë nevoja që të kryejnë aplikimin.
“Duke nisur nga sot, familjet dhe individët që përfitojnë nga ndihma ekonomike përfitojnë pagesën pa qenë në nevojë për të bërë aplikimin. Administratorët e njësive administrative do të bëjnë aplikimin, aplikimet do të pranohen në formë elektronike, ose me postë. 64 mijë përfitojnë nga dyfishimi i ndihmës ekonomike, edhe personat me aftësi të kufizuara do të përfitojnë pagesat e tyre normalisht”, tha Manastirliu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.