Futboll

Shkodra pret sot ‘Klasiken’ e Shqipërisë, mund të rihapë garën e titullit kampion

Gazeta Si – Java e 30-të e Superiores ofron sot një nga sfidat më të bukura të kampionatit, të ashtuquajturën ‘Klasiken’ e futbollit shqiptar, Vllaznia-Tirana. Ndeshja luhet në orën 18:00, në stadiumin ‘Loro Boriçi’, ku shkodranët do të kenë aleat tifozët kuqeblu.

Kjo ndeshje mund të rihapë garën e titullit kampion në Superiore. Vllaznia kërkon fitoren në shtëpinë e saj për të kapur vendin e tretë në kampionat. Tirana në anën tjetër ka komoditetin e 5 pikëve avantazh ndaj Partizanit të vendit të dytë dhe sot ndoshta do të kënaqej edhe me një barazim.

Nëse fitojnë shkodranët, Partizani mund të përfitojë këtë javë për ta çuar në 2 pikë diferencën me kreun, duke qenë së në letër ka një ndeshje të lehtë, atë me Bylisin.

Trajneri i Vllaznisë, Goce Sedloski, i ka shpresat te Balaj dhe Latifi për golat e fitores, kurse Orges Shehi do të bazohet te forma e mirë e Hasanit dhe Abazajt. Pritet të jetë një ndeshje e hapur, me Vllazninë më tepër në sulm, pasi është më e interesuar për fitoren.

Sot luhen edhe dy ndeshje të tjera të javës së 30-të, derbi mes Teutës dhe Erzenit, si dhe sfida mes Egnatias dhe Laçit. Kjo e fundit luhet në kryeqytet, në kompleksin e Partizanit, pasi rrogozhinasit janë të dënuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë