Lajme

Shkodër, 51 në pranga për vjedhje energjie

Puna për kapjen e abonentëve që vjedhin energjinë elektrike ka vazhduar që prej dy javësh. Nga kontrollet janë gjetur shkelje të mëdha në zonën e Bushatit dhe Koplikut dhe janë proceduar penalisht 51 abonentë. Forma më e përdorur është furnizimi me linja të dyta jashtë matjes, si edhe përmes manipulimit të matësit.

Sipas njoftimit zyrtar, të dhënat e fundit nga Drejtoria Rajonale e OSHEE-së në Shkodër tregojnë për një punë të vazhdueshme kundër abuzimit me energjinë elektrike.

“Në dy javët e fundit, përfshi edhe të dhënat e datës 8 gusht, janë proceduar penalisht 51 abonentë, me akuzën e vjedhjes së energjisë elektrike në kundërshtim të plotë me ligjin. Mbi 65% e vjedhjes së energjisë është konstatuar në zonat e Koplikut dhe të Bushatit dhe forma më e përdorur është furnizimi me linja të dyta jashtë matjes, si edhe përmes manipulimit të matësit”, deklaron OSHEE.

OSHEE gjithashtu thekson faktin se askush nuk kallëzohet në polici se është debitor ndaj faturave, por në zbatim të nenit 137 të Kodit Penal ndëshkohen ata persona që vjedhin energjinë elektrike apo dëmtojnë matësin.

“Çdo ndërhyrje tjetër e paligjshme dhe e paautorizuar në sistemin e matjes apo në rrjetin elektrik me qëllim përfitimi të paligjshëm, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim deri në tre vjet”, citon OSHEE nenin 137.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë