Njerez

Shkodër / Nga materniteti në burg, arrestohet 8 ditë pas lindjes gruaja lehonë për një gjobë!

Gazeta Si - Nazmi Bahçja, nga fshati Drisht i Postribës, kërkon lirimin e gruas së tij nga burgu, pasi u arrestua vetëm tetë ditë pasi lindi fëmijën e dytë.

Bashkëshortja e tij, 25-vjeçarja Diana Bahçja është arrestuar, duke e shkëputur nga djali i saj vetëm 8 ditësh, pasi Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë i ka vendosur një gjobë në vitin 2020 prej 250 mijë lekësh, duke ia konvertuar një javë më parë, në 50 ditë burg.

Naim Bahçja thotë se gruaja e tij u arrestua pa pasur asnjë dijeni as për gjobën e vendosur para tre vitesh dhe as për vendimin e dënimit me burg.

“Apeloj që të lirohet gruaja dhe të vijë te fëmija”, thotë ai.

Diana Bahçja është dënuar për braktisjen e një fëmije nga martesa e parë, por ajo mohon ta ketë bërë këtë gjë.

Pesë vite pasi ishte divorcuar me burrin e parë, sapo u martua me të dytin, Dritën e paditi në prokurori ish-bashkëshorti me akuzën se ka braktisur fëmijën e martesës së parë. 

Në një bisedë telefonike nga burgu i grave në Tiranë, e dënuara thotë se ish-bashkëshorti pasi e ka keqtrajtuar e ka nxjerrë nga shtëpia duke mos ia lënë as vajzën.

Aktualisht për djalin që sapo ka mbushur dy javë nga momenti i lindjes, kujdeset babai Naimi dhe mbesa e tij 11-vjeçare.

Vendimi është marrë nga gjykata e Tiranës dhe ekzekutuar nga policia e Shkodrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë