Lajme

Shkodër, ekzekutohet biznesmeni. Dy muaj më parë i vranë kushëririn

Qyteti i Shkodrës u trondit sërish nga një ngjarje e rëndë. Fatos Ferracaku dhe Fatmir Mehaj u qëlluan me armë zjarri në një nga zonat më të populluara. Ata u dërguan në spital, por 31-vjeçari Ferracaku nuk mundi t'u mbijetojë plagëve të marra. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Rus” në prani të dhjetëra personave të tjerë.

Fatos Ferracaku ishte kushëri me Arjan Ferracakun, i vrarë më 1 shtator po në Shkodër, ndërsa kalëronte. Arjan Ferracaku, pronar i dy bizneseve në Velipojë dhe baba i dy fëmijëve u gjet i vrarë në periferi të qytetit të Shkodrës ku zakonisht janë gjetur makina të përdorura për krime dhe të djegura.

Fatos Ferracaku dhe miku i tij ishin tregtarë të peshkut, ndërsa kur u qëlluan po pinin kafe në një lokal tek Markata në Shkodër.

Paraprakisht dyshohet se është qëlluar me breshëri plumbash dhe në vendngjarje janë gjetur 9gëzhoja.

Policia e Shkodrës e mbështetur nga FNSH ka ngritur pika kontrolli dhe në gjithë zonën ku dyshohet se janë larguar autorët. Policia ka gjetur dhe një mjet motoçikletë të djegur, që dyshohet se u përdor nga autorët, në lagjen “Guerrile”.

Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve si edhe kërkon ndihmën e atyre që mund të kenë informacion për ngjarjen. 


Copyright © Gazeta “Si”




Më Shumë