Shkencë

Shkencëtarët mund të kenë zgjidhur më në fund misterin e ndërgjegjes

Nga Julian Baggini- Përgjatë gjithë historisë, përpjekjet e njerëzve të thjeshtë për të gjurmuar skutat e brendshme të shpirtit janë parë si veprime arrogante. Shekspiri e bëri Hamletin ta shprehte fuqishëm këtë gjë në momentin kur zemërohet ndaj atyre që “synojnë të zhduknin thelbin e misterit tim”.

Ai akuzon Rosencrantz dhe Guildenstern, se po përpiqen të luajnë me të si një lloj instrumenti, në vend se ta trajtojnë atë si një qenie njerëzore.

”Sa e padenjë është kjo që më bëni”, i kritikon ai. Sot nuk ka më tabu të tilla. Hamleti i referohet vetes në mënyrë metaforike si “ky organ i vogël”.

Por sot ne e ndajmë veten, duke studiuar një organ të mirëfilltë: trurin. Neuro-shkencëtarët po e hedhin poshtë pikëpamjen e mbështetur prej kohësh, se ajo që ndodhet thellë nesh mund të shihet vetëm nga brenda. Një ekspozitë e re në Institutin Francis Crick, me titull “Hello Brain!”, e promovon këtë qasje duke zbuluar mënyrat e shumta, përmes të cilave studiuesit e institutit kanë nisur të zbulojnë disa nga të fshehtat e mendjes së njeriut.

Kështu studiuesit e Crick, kanë zbuluar se truri i minjve ndryshon gjatë shtatzënisë, duke sugjeruar se instinkti i nënës nuk është vetëm një thirrje shpirtërore, por një imperativ neurokimik. Studimi i një laboratori tjetër mbi minjtë, e mbështet konsensusin shkencor në zhvillim, sipas të cilit në shohim më shumë halucinacione sesa e mendojmë.

Shkencëtarë të tjerë kanë studiuar se si zogjtë mësojnë këngë të reja në gjumë, duke sugjeruar se mendja e pandërgjegjshme, është më e rëndësishme për të mësuarit dhe konsolidimin e kujtesës, sesa priremi të besojmë.

Zbulime të tilla, kërcënojnë të shkatërrojnë besimet tradicionale rreth asaj se kush dhe çfarë jemi. Sa më shumë që e kuptojmë trurin, aq më shumë bien poshtë pikëpamjet tona ngushëlluese për veten.

Koncepti ynë shekullor (dhe disa mund të thonë me të drejtë naiv) mbi natyrën njerëzore është bazuar prej kohësh në 3 dogma. E para është se ne jemi krijuesit e zgjedhjeve dhe veprimeve tona. Që ne nuk jemi kukulla, por agjentë të përgjegjshëm, të lirë, të aftë për të përcaktuar rrugën tonë në botë.

Dogma e dytë është se qeniet njerëzore janë të veçanta, të ndryshme nga kafshët e tjera. Së treti, ne supozojmë se të paktën në shumicën e rasteve, perceptimet tona përfaqësojnë me saktësi botën ashtu siç është. Studimi i fundit shkencor mbi ndërgjegjen, ka hedhur dyshime mbi të tria këto besime.

Së pari analizojmë vullnetin tonë të lirë. Askush nuk duhet të habitet kur zbulon se truri i nënave ndryshon gjatë shtatzënisë. Shpjegimi i ndryshimit të humorit dhe i sjelljeve tona për shkak të nivelit të hormoneve, është bërë shumë i zakonshëm.

Megjithatë ideja se mendimet dhe veprimet tona janë rezultat i drejtpërdrejtë i aktivitetit të trurit, mund të jetë edhe shqetësues. Nëse “truri më nxiti ta bëja”, në çfarë kuptimi e unë arrij të kontrolloj veten time? Shumë nga hulumtimet e Crick-ut duket se sugjerojnë se truri është një lloj makinerie dhe se ne thjesht bëjmë atë që kërkon ai.

Një laborator tjetër, po krijon modele të qarqeve të trurit, qelizë për qelizë, si në një lojë Lego. Një ekip tjetër ka ndërtuar një hartë të plotë të trurit të një mize frutash, një provë e konceptit se një ditë mund të bëjmë të njëjtën gjë për qarkun tonë kompleks.

Hulumtimi i Crick-it për sëmundjen e Alzheimerit, na kujton se kapacitetet tona njohëse varen tërësisht nga truri i shëndetshëm dhe funksional dhe se kur këta shpërqendrohen, po kështu ndodh edhe me ne. Fakti që pjesa më e madhe e kërkimit të përmendur më sipër, është bazuar në studimet e shpendëve, minjve dhe mizave, sugjeron që ne nuk e pranojmë më idenë se njerëzit janë thelbësisht të ndryshëm nga kafshët e tjera.

Ne e studiojmë trurin e kafshëve,  sepse ata na tregojnë gjëra për trurin e njeriut. Por nëse hendeku midis njerëzve dhe kafshëve po mbyllet, a mos do të thotë kjo që duhet t’i kushtojmë më pak vlerë jetës njerëzore, apo të respektojmë shumë më tepër atë të krijesave të tjera?

Sido që të jetë, hierarkia e specieve mbi të cilën kemi ndërtuar universin tonë moral ka qenë e trazuar. Ndoshta më shqetësuesja, është ideja që ne as nuk e perceptojmë botën ashtu siç është. Për shekuj me radhë, e kemi ditur se mënyra e saktë se si na duket bota, përcaktohet nga shqisat tona, jo nga gjërat në vetvete.

Për shembull e gjelbra e barit, krijohet nga sistemi ynë vizual. Por kërkimet më të fundit shkojnë edhe më tej. Truri ynë nuk ngjyros perceptimet tona, por në fakt i ndërton ato. Truri nuk është një receptor pasiv i perceptimit, por më shumë një “makinë parashikimi” që sheh atë që pret të shohë, dhe dëgjon atë që pret të dëgjojë.

Mendojeni pak e shumë kështu: Ne priremi të mendojmë se mendjet tona janë si kamerat që regjistrojnë botën. Në fakt, ato janë më shumë si projektorë, duke e krijuar realitetin tonë. Sigurisht që ka të dhëna që na vijnë. Por ato përdoren për të ndihmuar në trajnimin e projektorit për t’u përmirësuar, dhe për të sinjalizuar momentin kur projeksioni nuk arrin të përfshijë diçka me rëndësi.

Për këtë arsye, ne shumë shpesh nuk arrijmë të vëmë gjëra që nuk kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në mbijetesën tonë, siç janë tiparet e ndërtesave që na kalojnë çdo ditë para syve. Një hulumtim i tillë e kupton më mirë psikozën, dhe na çon në përfundimin bindës se njerëzit që dëgjojnë zëra nuk janë aq të ndryshëm nga të gjithë të tjerët.

Të gjithë ne kemi zëra brenda kokës. Një teori në zhvillim e sipër, thotë se ndryshimi i vetëm është se disa njerëz mendojnë se këto zëra vijnë nga dikush jashtë tyre. Ky gabim është shumë i kuptueshëm. Nëse ne i perceptojmë projeksionet e trurit, gjithçka që duhet të ndodhë është që truri të projektojë gjënë e gabuar dhe ne të perceptojmë gjëra që thjesht nuk janë aty.

Gjetje të tilla, e dobësojnë konceptin e vetëdijes në rëndësinë që ka. Shpesh vetëdija mendohet si gjendja më e lartë e qenies, ajo që na lartëson mbi kafshët e thjeshta. Për mendimtarë të tillë si filozofi francez i shekullit XVII-të René Descartes, ndërgjegjja jonë nënkuptonte se ne ishim shpirtra të pavdekshëm, të pandarë, jo materialë.

Ne nuk jemi trupat tanë, por mendjet tona, me një perspektivë të vetme dhe të unifikuar për botën. Imazhi i mendjes - dhe bashkë me të edhe i vetvetes - që na jep shkenca sot është shumë më i çrregullt. Ne nuk jemi shpirtra jo materialë, por kafshë fizike, truri i të cilave bën pjesën më të madhe të punës së të menduarit.

Për më tepër, truri nuk është vetëm një qendër e thjeshtë dhe e unifikuar e përvojës. Ai drejton të gjitha llojet e proceseve paralelisht. Pra nuk është se ana e majtë nuk e di se çfarë po bën ana e djathtë. Ka shumë gjëra mbi vetëdijen njerëzore që mbeten misterioze dhe ende të pazbuluara. Por ka ardhur koha të heqim dorë nga frika e Hamletit, se zbulimi i sekreteve të tij e kërcënon njerëzimin.

Burimi: Daily Telegraph. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë