Shendet

Shkenca “plagos” mitin e aspirinës dhe magjinë e saj

Një ditë, duke ecur në pyll, Reverend Edward Stone,  rastësisht kafshoi dhe pertypi levoren e një shelgu. I beri pershtypje hidhesia e saj duke i kujtuar në mendjen e tij shijen e hidhur të drurit te kininës nga e cila nxirret kininë, e njohur si mjekimi i etheve te malaries. Reverendi Eduard, njekohesisht  botanist dhe ekspert ne çështjet mjekësore, filloi  të mendojë se ndoshta levorja e shelgut me idhtesine e saj mund të jetë e dobishme për luftimin e etheve te malaries. Ne 50 pacientet e pare perdorimi i levores se ziere te shelgut rezultoi me efekte te shkelqyera në luftën kundër etheve malarike, duke e detyruar mjeksine e kohes t'i perulej aftesive kuruese te shelgut  dhe në veçanti, aftesise se tij  kunder temperatures se larte. Vetem në dekadat e para të shekullit të nëntëmbëdhjetë  u arrit te perftohet substanca aktive e shelgut, salicina. Megjithatë, vetem falë kimistit napolitan Raffaele Piria, u  zbulua se acidi salicinik, perberesi kryesor i Aspirines, perftohet nga salicina.

Legjenda urbane  insiston se pikërisht në sajë të origjinës napoletane të Raffaeles dhe të vetive thuajse magjike të aspirinës, në 1899 kompania e barnave Bayer do t’i vinte Aspirinës emrin e shenjtit napoletan, Aspreno. Cila është e vërteta për fat të keq sot ne nuk e dimë, por një shëtitje në kapelën e Sant'Aspreno al Porto, në Napoli, një kishë e vogël kjo por e konsideruar si  shtëpia e Shenjtorit, do të na zbulojë një sekret dhe magji të madhe për kohën. Në këtë kishë  në shekullin e shtatë, pas Krishtit,  u ndërtua një altar shkëmbor në fundin e të cilës është një vrimë në të cilën besimtaret fusnin kokën për t'u shëruar nga migrena. Edhe sot ka njerëz që shkojnë atje për të qetësuar dhimbjet e kokës. Gjithsesi kur nuk qetësohen pinë edhe një Aspirinë.

Megjithëse aspirina konsiderohet një mrekulli e re mjekësore, historia e saj është e pandashme nga historia e lëvores dhe gjethes së shelgut, fillon shume vite para krishtit  dhe se virtytet e saj terapeutike përmenden në papirusin Ebers, rreth 2000 vjet para Krishtit. Hipokrati (460-377 B.C.), babai i mjekësisë, i këshillonte pacientët e tij të prekur nga dhimbje të ndryshme, të përdornin lëvoren apo gjethet e shelgut. Edhe sot fshatarët grekë përtypin gjethet e shelgut për të luftuar dhe madje parandalusr dhimbjet reumatismale. Por, studimet e fundit gjenetike të botuara pak javë me parë, zbuluan se njeriu i Neandertalit i gjetur në një shpellë në El Sidrón të Spanjës, 48.00 vjet më parë, pasi vuante  nga një absces dentar, kishte ngrënë një këpurdhë me përmbajtje Penicillium, dhe për të qetësuar dhimbjen e dhëmbit kishte përtypur lëkurë shelgu.

Nëse njeriu i sotëm kur nuk ka aspirinë në shtëpi, shkon dhe e gjen atë në farmaci, në se dikur Neandertali e kërkonte dhe e gjente pa recetë mjeku në shelgjet e rritura në natyrë, atëherë po bimët, të cilat nuk mund të shkojnë në farmaci, si bëjnë për të ?  Në kushte stresi bimët sintetizojnë metilsalicilat që më pas konvertohet në acid salicilik (aspirinë) të cilën me pas e lëshojnë në atmosferë. Kjo është e vërtetë, pasi Studiuesit e Qendrës Kombëtare të Studimit të Atmosferës në Amerikë kanë arritur ta  masin atë në një pyll pranë Davisit në Kaliforni. Pak kohë më parë të njëjtën gjë do ta vërtetonte edhe  një studim i botuar në revistën “Nature” nga studiuesit nga Illinois, të cilët për më tepër arritën në një konkluzion shumë interesant që methylsalicylati (aspirina) çlirohet e përdorohet nga bimët për  t’u mbrojtur nga insektet e dëmshme dhe gjendjet e stresit mjedisor.

Pikërisht, në këtë terren mrekullie të Aspirines, një nga ilaçet më të famshme në botë, mjekuesi universal për çdo dhimbje e sidomos për dhimbjen e kokës,  studime pa fund që dominuan kryesisht në vitet 1980 dhe 1990, konfirmuan vlerën e aspirinës në parandalimin primar te ngjarjeve të rëndësishme të zemrës dhe të trurit.  E për më tepër, e përdorur mbi 10 vjet ajo arrin të parandalojë edhe kancerin e zorrës së trashë dhe të prostatës. Mjekon deri dhe impotencën seksuale po aq sa Viagra. Dhe ne i dhamë një aspirinë 100 mg çdo individi mbi 40 vjeç për të parandaluar atakët e zemrës dhe të trurit dhe sidomos atyre që kishin predispozitë për sëmundje. E shijuam për rreth 40 vjet këtë efekt parandalues dhe e ngritëm në qiell suprem aspirine si zbulimin më me vlerë të këtij shekulli.

Por, fatkeqësisht, tre studime gjigante rezultatet e të cilave u prezantuan në Kongresin e Shoqërisë Europiane të Kardiologjisë në muajin gusht të këtij viti, (ASCEND, ARRIVE dhe ASPREE)  nuk arritën të tregojnë asnjë vlerë të përdorimit të Aspirinës në parandalimin e sëmundjeve të zemrës, trurit apo në uljen e incidencës të kancerit të zorrëve dhe prostatës, duke treguar përkundrazi një tendencë të rritur te ngjarjeve të gjakderdhjes, hemorragjisë, tek përdoruesit e saj.  Zhgënjimi ishte i madh pasi rezultatet e këtyre studimeve rrokullisën gjithçka që mendonim se dinim  rreth misterit që rridhte nga lëvorja e shelgut. Gjithsesi, si gjithmonë shkenca nuk i mbyll të gjitha dyert;  vendimi për të përdorur ose jo  aspirinën  si parandaluese të ngjarjeve të zemrës dhe të trurit duhet të përfshijë një diskutim të kujdesshëm mes mjekut dhe pacientit,  bazuar në profilin e rrezikut të pacientit dhe efekteve të saj sidomos tek të sëmurë me probleme hemoragjike.

Aspirine, mikja ime e vjetër: Natën e mirë, princesha e ëmbël dhe fluturimet e trombociteve të këndofshin në pushimin tënd.

Nga Myftar Barbullushi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë