Lajme

Shkatërruan karriget në stadiumin “Air Albania”, arrestohen tre persona

Policia e Tiranës ka vënë në pranga tre shtetas, pasi shkatërruan stolat e stadiumit “Air Albania” dhe hodhën sende të forta në fushë gjatë dy ndeshjeve të futbollit më 21 e 22 shkurt.

Më 22 shkurt në orën 17:00, në stadiumin “Air Albania” është zhvilluar ndeshja e futbollit ndërmjet skuadrave të Partizani dhe Bylisit dhe më 21 shkurt është zhvilluar ndeshja midis ekipeve Tirana-Kukësi.

Siç njofton policia, gjatë zhvillimit të ndeshjeve, disa tifozë të këtyre skuadrave kanë hedhur sende të forta në fushë dhe kanë thyer stolat e stadiumit.

Policia thotë se janë vënë në pranga shtetasit G. M., 39 vjeç, K. B, 26 vjeç, tifozë të skuadrës së Bylysit, si dhe L. G, 35 vjeç tifoz i skuadrës së Tiranës.

Gjithashtu u shpallën në kërkim 9 tifozë të skuadrës së Tiranës dhe konkretisht shtetasit E. M, J. S, A. T, M. H, M. B, A. S, E. S, G. M dhe F.S H.

Ndërkohë, u proceduan penalisht në gjendje të lirë edhe 6 tifozë të Tiranës konkretisht shtetasit J. K, A. LL, E. Z, T. A, A. R dhe D. T.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Veprime të dhunshme në aktivitetet Sportive” dhe “Shkatërrimi i pronës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë