Lajme

Shkarkohet nga detyra prokurori Artur Selmani

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka shkarkuar nga detyra Artur Selmanin, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.

Selmani është njëri nga ish-kandidatët që garoi vitin e kaluar për postin e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm. 

Sipas asaj që ka deklaruar pranë ILDKPKI-së, rezulton se në vitin 2004, Selmani ka deklaruar të ardhura nga paga prej 1.4 milion lekësh. Gjithashtu, ai ka deklaruar dhe një kredi të marrë me një afat 25 vjeçar.

Prokurori Selmani ka rezultuar me probleme me pasurinë. Ai ka deklaruar 10 mijë dollarë të fituar nga bastet sportive, gjë e cila nuk ka bindur trupën e KPK-së.

Edhe ILDKPIK gjeti probleme me pasurinë e ish-kandidatit për kryeprokuror. Pikëpyetje ka pasur edhe për profesionalizimin e Selmanit, pasi ka rezultuar se hetimet e kryera prej tij kanë qenë të paplota.

Selmani e ka filluar karrierën në institucionin e akuzës në fillim të viteve ’90, fillimisht si hetues dhe më pas si prokuror. Ai është pjesë e Prokurorisë së Përgjithshme prej më shumë se një dekade, ku ka mbajtur edhe role drejtuese. Paralelisht me punën në Prokurori, Artur Selmani ka punuar edhe si pedagog dhe ekspert trajnues pranë Shkollës së Magjistraturës.

Në shkurt 2017, prokurori Selmani u pezullua nga detyra me urdhër të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, për shkak të lehtësimit të akuzës për autorin e një masakre me tri viktima në vitin 2015 në qytetin e Vlorës. Prokuroria e Përgjithshme paralajmëroi hetim për “shpërdorim detyre”, por akuzat u rrëzuan 4 muaj më vonë. Në fund të vitit 2017, Selmani kandidoi së bashku me 6 kandidatë të tjerë për postin e Prokurorit të Përkohshëm të Përgjithshëm. Sipas një relacioni të Kuvendit, vetëm 3 nga 7 kandidatët i plotësuan kriteret për këtë post, ndërkohë që mazhoranca votoi Arta Markun.   


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë