Politike

Shkarkimi i Metës, vendoset të enjten për shtyrjen e komisionit hetimor

Mazhoranca pritet t’i rikthehet edhe një herë çështjes së shkarkimit të presidentit Meta, pasi në seancën e së enjtes do të votohet kërkesa për shtyrjen e afatit të komisionit të posaçëm hetimor. Afati i këtij komisioni përfundon më 8 tetor dhe se mazhoranca për shkak se është në pritje të raportit të ekspertëve të Venecias që publikohet më 12 tetor po detyrohet ta shtyjë. Komisioni i posaçëm ka vendosur që afati të shtyhet edhe me dy muaj, duke bërë që vendimi për presidentin të merret në nëntor. Një shtyrje e gjatë në kohë kjo e mazhorancës, e cila duket se është ndikuar edhe fakti se në Shqipëri mungon Gjykata Kushtetuese. Pikërisht ky afat mund të shërbejë që institucionet si Kuvendi apo Presidenca të nis plotësimin me vendet vakante në Kushtetuese.
Në media prej ditësh qarkullon një material si draft-raport i Venecias mbi aktin e kreut të shtetit për anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Akti i cili u refuzua të zbatohej nga mazhoranca, nga ekspertët e Venecias cilësohet si një tejkalim i kompetencave kushtetuese nga Meta. Ndërsa kjo situatë cilësohet se vjen nga mungesa e një ligji “Për Presidentin”, por ekspertët vlerësojnë se nuk mund të shërbejë që si shkak që Meta të shkarkohet nga Parlamenti.
Por mazhoranca tashmë e cilëson si një arsye më shumë argumentet e dhëna nga raporti paraprak i Venecias për të shkarkuar presidentin Meta. Këto qëndrime kanë rritur edhe temperaturat e politikës ku janë rikthyer edhe një herë akuzat mes mazhorancës dhe Presidencës nëse kishin kryer shkelje ose jo.
Presidenti Meta do të shprehej se nuk kishte shkelur Kushtetutën dhe se nuk i trembej raportit të Venecias. Reagimi më i fundit nga selia e Presidencës erdhi nga zëdhënësi Tedi Blushi, i cili komentonte qëndrimet e analistëve dhe të përfaqësuesve të mazhorancës kundër kreut të shtetit. “Sa mirë që mbrëmë rastësisht të gjitha televizionet dhe debatet e darkës u morën me Komisionin e Venecias. Nuk lanë as agjentë të UDB-së pa nxjerrë në ekran, për të sharë Presidentin dhe "mbrojtur" Kushtetutën. Jetojmë në kohë magjistarësh! Ngarkesat nisen nga Amerika Latine me banane, kapet kokainë dhe del oriz. Të dashur përsheshngrënës, ju bëftë mirë pilafi!”, shprehej Blushi në reagimin e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë