Politike

Shkarkimi i Metës/ Shtyhet afati i komisionit hetimor

Komisioni i posaçëm hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta pritet të vendosë nesër për t’i propozuar seancës parlamentare shtyrjen e afatit. Sipas burimeve mësohet se kërkesa vjen edhe nga fakti se konkluzionet e komisionit të Venecias do të dalin më 12 tetor, disa ditë pas mbylljes së afatit ligjor të strukturës hetimore që është data 8 tetor. Opozita ka kërkuar që të shtyhet afati i komisionit deri në pritje të opinionit të Venecias. Ky kusht i opozitës u pranua nga kryekomisioneri socialist Ulsi Manja që nuk do të miratohet asnjë raport pa u marrë më parë mendimi i Venecias nëse presidenti Meta ka shkelur Kushtetutën me shfuqizimin e datës së zgjedhjeve të 30 qershorit. Sipas burimeve, mësohet se shtyrja e afatit do të kërkohet të jetë e shkurtër, që mund të shkojë jo më shumë se dy javë dhe kjo lidhet me faktin që komisioni të njihet me raportin e Venecias. Gjithsesi kjo pritet të vendoset në mbledhjen e nesërme të komisionit.
Gjithsesi opozita pritet të mbajë qëndrimin e saj duke kërkuar që shtyrja e afatit të jetë më në kohë për faktin se në Shqipëri mungon Gjykata Kushtetuese. Nënkryetari i këtij komisioni Alban Zeneli ka kërkuar hapur që përpara se të merret vendimi i Parlamentit duhet të merret jo në situatën kur mungon Gjykata Kushtetuese.
Komisioni hetimor mblidhet pasi zhvilloi seancën dëgjimore me presidentin Ilir Meta, i cili u mbrojt para deputetëve, duke dhënë arsyet se pse ndërmori aktin për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve, ku një ndër argumentet kryesore të kreut të shtetit ishin informacionet nga institucionet e sigurisë se në Shqipëri më 7 qershor do të digjej Parlamenti.
Mbledhja e komisionit vjen edhe pas publikimit që Presidencai bëri në faqen zyrtare edhe raportit 55-faqësh. Ky material ishte edhe mbrojta e presidentit para Venecias në datë 11 tetor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë