Politike

Shkarkimi i Metës, PS zgjeron objektin e hetimit: Të tjera ‘shkelje’ të tij

Kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla në një dalje publike nga Kryesia e Kuvendit, tha se maxhoranca do të vazhdojë veprimet për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, duke i dërguar Komisionit Hetimor materiale të reja shtesë për veprimet apo mosveprimet në rastin e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese.
Balla tha se shkarkimi i presidentit Meta tashmë është bërë një domosdoshmëri, pasi shkelja e Kushtetutës nga ana e tij është bërë kronike.
“Do të nisim veprimet për shkarkimin e presidenti Meta, pasi me veprimet dhe mosveprimet e tij ka shkelur Kushtetutën. Me vendimin është marrë kërkesa për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e presidenti për zgjedhjen e organeve për qeverisjen vendore. Presidenti i Republikës, me një kurs të përplasjes me Kuvendin ka vijuar të shkelë Kushtetutën. Vlerësojmë të domosdoshëm që këto vlerësime të bëhen nga Kuvendi i Republikës për shkarkimin e presidentit. Kushtetuta jonë, rregullorja, nuk ndalojnë Komisionin Hetimor në punën e tij dhe Kuvendi nuk mund të vendosë kufizime për këtë çështje. Nëse kjo kërkesë nuk vlerësohet si një shkelje e Kushtetutës, atëherë shkresa është detyrim dhe jo diskrecion i Kuvendit. Një palë që ka dorëzuar një kërkesë mund të ndryshojë dhe të shtojë atë. Shkelja e Kushtetutës nga ana e presidentit tashmë është bërë kronike. Dhe shkarkimi i presidentit është bërë domosdoshmëri”, u shpreh Balla.
Balla tha se me dekretimin e zonjës Xhaferllari, presidenti ka dalë përtej kompetencës së tij dhe ka cenuar të drejtën e gjyqtarit.
“Presidenti nxori një dekret për emërimin e Marsida Xhaferllarit. Kjo është në kundërshtim të plotë për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Presidenti ka vepruar përtej kompetencës ligjore dhe kushtetuese. Ka përdorur në mënyrë abuzuese pushtetin. Kjo ka sjellë pasoja të rënda në Gjykatën Kushtetuese. Kjo rezulton se Xhaferlari ka nisur punën me një emërim të pavlefshëm. Nga ana tjetër është gjyqtarja Arta Vorpsi, e cila ka fituar në bazë të ligjit, dhe presidenti ka deklaruar se nuk e njeh gjyqtaren në këtë funksion. Në këtë mënyrë është cenuar e drejta e gjyqtarit kushtetues, si dhe është cenuar e drejta e subjekteve për një proces të rregullt kushtetues”, u shpreh ndër të tjera Balla.

Presidenca: Presione të dhunshme dhe të qarta politike ndaj organit të akuzës

Pas deklaratave të Ballës, ka reaguar edhe Presidenca. Nëpërmjet një postimi në “Facebook”,Tedi Blushi i quan të shëmtuara dhe të dënueshme deklaratat e Ballës, ndërsa shton se janë presione të dhunshme dhe të qarta politike ndaj organit të akuzës për të mos vepruar ndaj kallëzimit penal të Presidentit ndaj kreut të KED, Ardian Dvorani.
“Deklaratat e shëmtuara dhe të dënueshme të z.Balla janë presione të dhunshme dhe të qarta politike ndaj organit të akuzës, për të mos vepruar menjëherë ndaj kallëzimit penal të depozituar dje nga Presidenti i Republikës ndaj z.Ardian Dvorani, besnikut të partisë dhe dhunuesit të vetëdijshëm të ligjit dhe Kushtetutës”, shkruan Blushi
Blushi shtoi se Meta nuk do tolerojë më asnjë shkelje më të vogël të procedurave që synojnë kapjen e reformës së Drejtësi.
“Presidenti Meta ka qenë shumë i qartë dhe KA PARALAJMËRUAR PRERË se në të ardhmen NUK DO TË TOLEROJË MË, as shkeljen më të vogël të procedurave, që synon kapjen mafioze të Reformës në Drejtësi, që tani ndodhet para një momenti historik për të dëshmuar integritetin dhe vërtetësinë e saj!
Për këdo që nuk e ka kuptuar qartë, PARALAJMËRIMI ËSHTË I PRERË:
LARG DUART NGA GJYKATA KUSHTETUESE!
TE GJYKATA KUSHTETUESE VIJA ËSHTË E KUQE, DHE ËSHTË E KUQE FLAKË!’, përfundon zëdhënësi i presidentit.

https://www.facebook.com/blushited/posts/10157727932617760

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë