Politike

Nis zyrtarisht hetimi i Metës. Opozita: Shtyni afatin. Venecia më datë 9 në Tiranë

Kuvendi nuk humbet kohë dhe nis punë menjëherë me komisionin e posaçëm hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Ndërsa është parashikuar në planin e hetimit të komisionit që më datën 6 shtator të thirret në seancë presidenti Ilir Meta.
Pikërisht kjo datë duke si një rastësi, por ajo përkon me 15-vjetorin e krijimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, partisë që u themelua pikërisht nga ana e Metës, pas shkëputjes nga Partia Socialiste.

Kryetari i komisionit hetimor Ulsi Manja u shpreh se kjo thirrje për një seancë dëgjimore parashikohet në zbatim të detyrimit që parashikon Rregullorja e Kuvendit. Në mbledhjen e sotme, kryekomisioneri Ulsi Manja u shpreh gjithashtu se së shpejti në Shqipëri mbërrijnë edhe ekspertët e komisionit të Venecias. “Ekspertët e komisionit të Venecias do të vijë në një vizitë studimore nga data 9-11 shtator. Ne i kemi kërkuar një opinion atyre dhe se gjatë këtyre ditëve do të kenë takime me të gjithë aktorët, si përfaqësues të opozitës dhe të Parlamentit dhe me anëtarët e komisionit”, deklaroi Manja.
Kryekomisioneri u kërkoi deputetëve që të shqyrtojnë edhe të miratojnë planin e hetimit. Por deputeti i opozitës, Alban Zeneli kërkoi mbi të gjitha që komisioni të marrë në konsideratë faktin e mos ngritjes së Gjykatës Kushtetuese. “Ne duhet të presim ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, prandaj do të kërkoja që t’i drejtohen Kuvendit për plotësimin sa më parë të vendeve vakante”, deklaroi Zeneli. Sipas tij, nuk duhet të vendoset para kryerjes së faktit, bërjes së gjyqit, duke i vendosur para faktit të kryer. “Duhet konsideroni idenë e shtyrjes së afatit të komisionit hetimor”, shtoi Zeneli.

Alban Zeneli, deputeti i PD-së

Por kjo u kundërshtua nga ana e Manjës, i cili deklaroi se “vendimi i Gjykatës Kushtetuese është hapi i dytë që do të merret sa i përket etapave për shkarkimin e presidentit”. Gjithashtu socialisti deklaroi se mazhoranca është e vendosur që të presë opinionin e komisionit të Venecias. “Ne kemi si afat të komisionit deri më 9 tetor. Në rast se deri më ketë datë nuk na vjen opinioni i ekspertëve të komisionit të Venecias, atëherë ne do t’i kërkojmë Kuvendit shtyrjen e afatit të komisionit të hetimor”, theksoi Manja.
Mazhoranca me këtë qëndrim po jep sinjale për shtyrjen e afatit përsa i përket shkarkimit të presidentit Meta, duke mbajtur një qëndrim sa më të zbutur.
Kërkesa për shtyrjen e afatit të Zenelit, u mbështet edhe nga deputeti i opozitës, Adriatik Alimadhi. Sipas tij, nuk mund të veprohet me idetë apo metodat e regjimit komunist. “Nëse presidenti çon në Gjykatën Kushtetuese komisionin hetimor, ose vendimin për dekretin e zgjedhjeve të 13 tetorit, si do të veprojmë ne si strukturë parlamentare. Jam dakord me qëndrimin e deputetit Zeneli”, theksoi Alimadhi.
Por kjo u kundërshtua nga socialistët, të cilët theksuan se opozita po kërkon pezullimin e punës së komisionit dhe kjo sipas tyre nuk mund të pranohet.

Deputetja e PS-së, Vasilika Hysi duke kundërshtuar kërkesën e opozitës theksoi se përderisa kërkesa për komisionin hetimor është miratuar nga Kuvendi, atëherë nuk ka asnjë pengesë. “Gjykata Kushtetuese nuk e pengon punën e komisionit hetimor. Nëse kërkesa është miratuar nuk ka më pengesa dhe nuk varemi as nga Ekzekutivi apo dhe Gjykata Kushtetuese. Nëse miratohet është detyrë e Gjykatës Kushtetuese që t’ja përcjellë atë”, theksoi Hysi. Por nënkryetari i komisionit, Zeneli ngulmoi në faktin se mund të ketë një vakancë e madhe deri në dhënien e mendimit final, pasi Gjykata Kushtetuese mund të kërkojë kohë për t’u plotësuar.
“Mazhoranca po përpiqet me artifica subjektive, të pjesës së ligjit dhe të veprimtarisë së komisionit hetimor. Por duhet të merremi edhe me pasojat, ne nuk mund të na lejohet që ne të bëjmë një lloj vakance nga vendimi i marrjes së Parlamentit dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Pasojat janë në bazë të frymës, prandaj të shkojmë paralel, çdo vendim të jetë paralel me ndërtimin e Gjykatës Kushtetuese, edhe me veprimet paraprake e sugjerimet e komisionit të Venecias”, theksoi Zeneli.
Por pavarësisht këtyre deklaratave, opozita duket se u tërhoq pas qëndrimit të PS-së se nuk do të marrin vendim pa ardhur vendimi i Venecias, anëtarët e komisionit hetimor miratuan planin e hetimit me 7 vota pro, ndërsa anëtari Adriatik Alimadhi votoi kundër. Manja pas këtij vendimi deklaroi se zyrtarisht u hap hetimi për verifikimin e shkeljeve të presidentit Meta.
Ndërsa sa i përket datës 6 shtator për të thirrur për të dëshmuar, Manja deklaroi se dita e saktë do të përcaktohet me konsensus me deputetëve të opozitës, duke shtuar se një gjë e tillë mund të realizohet në javën e ardhshme. “Të njihet kolegët me materialet dhe më pas e përcaktojmë bashkarisht me nënkryetarin”, theksoi Manja.

Meta: Propaganda anti-President, zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje

Presidenti Meta reagoi ndërsa komisioni hetimor për shkarkimin e tij vijonte Live punimet në ekranet e televizioneve informative. Meta ka reaguar me anë të një postimi në Facebook, duke deklaruar se këto janë veprime anti-President që nuk ndihmojnë sundimin e ligjit.

"Propaganda anti-President nuk ndihmon sundimin e ligjit që është kusht për çeljen e negociatave në 18 tetor nga Bashkimi Europian për vendin tonë. Spostimi i vëmendjes për momentin nga detyrimi për respektimin e dekretit në fuqi të 13 tetorit për zgjedhje gjithëpërfshirëse vendore nuk ndihmon për zgjidhjen e krizës, por ndihmon përshkallëzimin e saj. Kriteret e Kopenhagenit nuk janë shfuqizuar ende nga BE, ndaj respektimi i tyre është i pashmangshëm nëse ka mbetur sadopak vullnet politik për çeljen e negociatave ne 18 tetor. Zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje!", tha Meta.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/posts/2464549620257963?__xts__[0]=68.ARAinFJ_c4N-GYQItunHtVEbuJaYchBCNmD3KHAmCtUeep-vQEZ5IXvrA1aotf9GnspQDYwYHfuaXStrXe79GCUKPi5nxnoOlz85qHxVfdPDeThbtJ5zEYWvCRdTYafe0VMgFHSKNoeQ4jYHkLWwHIogL8TQSqV-tz7ySE_4DBxHbglHWMYFgfrVyXVpoL_yrJ5V0WlhEogVwKGCcplBhRNsyHIteK-tHtRTXmXwTobdcDk8tKyFC_ss98Mo_H8jPRROog37vYZWxROxTdnVn3UiOoLeAdwq-rX5nWaybPL3mJBJ4T-vGlmU3kjEVbVC4QLnUCn6VBbaZEO87JqixyuV&__tn__=-R

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë