Politike

Shkarkimi i Metës? Balla: Më 22 mars flet Venecia. Na vjen anash me kërcënimet

Partia Socialiste i përgjigjet presidentit Ilir Meta, duke i cilësuar si qesharake kërcënimet për shpërndarjen e Parlamentit më 15 mars. Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla bëri të qartë se është Parlamenti që shkarkon presidentin, e më pas vendimi certifikohet në Gjykatën Kushtetuese. “Shqipëria është republikë e pastër parlamentare, e kulluar parlamentare dhe presidenti Ilir Meta i zgjedhur nga Kuvendi e di fare mirë këtë mungesë të së drejtës së presidentit për të pasur këtë lloj qasje në marrëdhënie me Kuvendin. Kuvendi e shkarkon presidentin dhe procesi i shkarkimit certifikohet nga Gjykata Kushtetuese. Presidenti thënë në gjuhën popullore i vjen anash Kuvendit, në kuptimin e së drejtës kushtetuese për të shpërndarë Parlamentin. Presidenti duhet të kuptojë qartë se është një person nën hetim për shkelje të njëpasnjëshme kushtetuese”, theksoi Balla.
Sa i përket deklaratës së bërë nga Meta se do të vijë në Parlament e t’i drejtohet deputetëve duke shpallur edhe shpërndarjen e Parlament, theksoi se Kushtetuta dhe Rregullorja i kanë të përcaktuara rastet kur presidenti mund t'i drejtohet Kuvendi.

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla sa i përket kthimit të dekretit nga Meta u garantoi se do ta shqyrtonte atë dhe se vendimi nuk do të merret me 15 mars, siç ishte dhe ultimatumi i presidentit, por më 19 mars apo kësaj date do të votohet në seancën e Parlamentit. “Ka procedurë Kuvendi, në datën 5 njoftohet, prej atij momenti hyn në kalendar, që është 3 javor, shpresoj që komisioni i çështjeve ligjore të marrë kohën e nevojshme për ta shqyrtuar, e besoj që në mos në seancën e datës 19 mars, në seancën tjetër pasardhëse ai të jetë gati”, theksoi Balla.

Por këto kërcënime të Metës, duket se kanë nxitur mazhorancën të shpejtojë punën për të nxjerrë raportin e komisionit hetimor parlamentar për shkarkimin e presidentit. Balla theksoi se shpejti del raporti paraprak i Venecias për përplasjet mbi emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe se më 22 mars pritet të dalë raporti i plotë, duke pretenduar se komisioni i Venecias do ta nxjerrë online.
“Nxis komisionin sa më shpejt që të miratojnë raportin dhe të njohin publikun në lidhje me shkeljet e njëpasnjëshme të presidentit Meta”, theksoi Balla. Ky qëndrim duket si një sinjal që socialistët do të shpejtojnë procesin e shkarkimi, ku komisioni hetimor ka afat deri më 8 prill për të nxjerrë konkluzionet e raportit përfundimtar.
Balla është pyetur nëse i frikësohen kërcënimeve të Metës dhe besëlidhjes së shpallur, duke reaguar se nuk ka asnjë emocion. “Nuk kam asnjë koment për këtë çështje, sepse unë si organizator i vjetër i shumë takimeve elektorale të PS më duket normale të mbledhësh ata pak anëtare partie që i kanë mbetur, siç thoshte Lulzim Basha nga falimentimi i sh.p.k”, theksoi Balla.
Ndërsa bëri të ditur se mazhoranca mund përfshijë në agjendën parlamentare miratimin e ligjit të Presidentit. “Duhet të kemi dhe ne një ligj që duhet të parashikojë rastet kur Presidenti merr foltoren dhe e përdor atë për një garë të brendshme me opozitën. Kjo që po ndodh s’ka të bëjë aspak me një marrëdhënie normale të institucionit të presidentit dhe Kuvendit, por me një garë të brendshme brenda opozitës ku eeshtë çelur një sezon, një garë për lidershipin, pasi të mbarojë ky proces do dimë kush është kryetari i ri i opozitës”, përfundoi Balla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë