Lajme

Shkarkimi i Hajdarmatajt, reagon ashpër opozita, Lu: Hetimet të ecin pa ndërhyrje politike

Kreu i opozitës, Lulzim Basha reagoi përmes një konference për mediat në lidhje me shkarkimin e kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj. Basha e cilësoi Arta Markun si kamikazen e Edi Ramës në Prokurorinë e Përgjithshme e cila zëvendësoi Hajdarmatajn me një tjetër kamikaze të Kryeministrit dhe shkarkimi i tij është kryer me urdhër direkt të Edi Ramës. “Hajdarmataj u shkarkua sepse në dosjen hetimore po mblidheshin të tjera prova të mjaftueshme për Tahirin dhe lidhjen e tij me Ramën. Kryeministri po bën gjithçka për të shpëtuar Saimir Tahirin. Kjo është arsyeja se pse shkarkimi i drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe emërimi i kamikazes së re të Ramës janë bërë në shkelje flagrante të ligjit. Prokurori i Pergjithshëm i Përkohshëm nuk ka të drejtë të emërojë dhe as të shkarkojë drejtues prokurorie” deklaroi kreu i PD, Lulzim Basha.

Edhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi reagoi ashpër për shkarkimin e Kryeprokurorit për Krimet e Rënda, Besim Hajdarmataj duke e cilësuar si një përpjekje për të mbyllur përfundimisht çështjen Tahiri, që mban peng jo vetëm Edi Ramën, por të gjithë qeverinë.

“Emërimi dhe shkarkimi i drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda nuk është kompetencë e Arta Markut dhe veprimi saj është i paligjshëm. Edi Rama është i fikësuari i madh i drejtësisë bërtet lart e poshtë për Vettingun ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, por ndërkohë largon nga detyra Kryeprokurorin e Krimeve të Rënda pa pritur që ai të vetohet” deklaroi Kryemadhi përmes rrjetit Facebook.

LSI ka lëshuar edhe nje paralajmërim për Arta Markun dhe strukturat përgjegjese “Të mos guxojnë të hedhin hapa për të fshehur gjurmët e krimit!”

Edhe ambasadori amerikan Lu reagoi për shkarkimin e Hajdarmatajt duke shprehur mbështetje për Prokurorinë e Përgjithshme. “Jemi gati të mbështesim një prokurori që ka vullnetin dhe aftësinë të punojë për këto çështje të rëndësishme të krimit dhe korrupsionit në mënyrë të efektshme dhe pa vonesa", thuhet në deklaratën e Lu.  

“Ky është një moment me rëndësi që Shqipëria të demonstrojë se hetimet me profil të lartë publik mund të ecin përpara pa ndërhyrje politike. Prokurorja e Përgjithshme thotë se ka emëruar Znj. Prela në mënyrë që çështjet me përparësi të përfundohen në mënyrë më të shpejtë dhe më të efektshme” – përfundon deklarata e Ambasadorit të SHBA, Donald Lu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë