Ngjarje

Shiu tremb pushuesit e ‘godet’ prenotimet e fundjavës. Radhë të gjata në trafik

Ashtu sic sinoptikanët kishin paralajmëruar kjo fundjavë do të karakterizohej nga një ulje e lehtë e temperaturave. Por ajo që ka trembur më shumë pushuesit kanë qenë shirat e lehtë dhe të beftë, si ata në Vlorë apo Shëngjin

Duke parë kohën e keqe shumë prej tyre zgjedhin të largohen nga bregdeti. Të papriturat e motit nga të dhënat nga operatorët turistikë kanë ndikuar edhe te prenotimet për fundjavë. Kjo sidomos ka qenë më e ndjeshme te prenotimet në Vlorë.

Crregullimet e motit kanë bërë që të rëndohet edhe trafiku i lëvizjes së automjeteve. Në akset nacionale që të çojnë drejt bregdetit në Gjirin e Lalzit, Shëngjin dhe Vlorë vihet re trafik i rënduar i automjeteve. Radhë të gjata automjetesh ka pasur në segmentet rrugore si Transballkanike, Lungomare dhe aksi Vlorë-Orikum.

Pushues sot në Vlorë
Trafiku sot në Vlorë

Por nga ana tjetër, moti i paqëndrueshëm i kësaj fundjave nuk i ka ndaluar pushuesit që vijnë nga Kosova në Shëngjin të vijojnë plazhin. Shumë qytetarë kanë zgjedhur ta kalojnë fundjavën në këtë bregdet. E gjithë zona turistike nga Rana e Hedhur deri në Kune-Vain ka qenë e populluar me pushues, kryesisht të ardhur nga Kosova. Ata thonë se Shëngjini i ka përmbushur ne maksimum pritshmëritë e tyre ndaj dhe janë frekuentues të rregull të këtij bregdeti.

Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga njoftoi një ditë më parë se në vendin tonë kanë hyrë mbi 2 milion qytetarë më shumë se një vit më parë.

“Në periudhën janar – 21 qershor 2023, janë përpunuar në hyrje dhe në dalje, 11 638 099 shtetas shqiptarë dhe të huaj ose rreth 2 500 000 shtetas më shumë se të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, si dhe 3 341 786 mjete shqiptare dhe të huaja”, tha ai.

Në kuadër të masave të marra nga policia për ruajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë sezonit turistik, Bizhga tha se, policia ka angazhuar 1700 policë në terren.

“Si rezultat i masave të marra gjatë 6-mujorit të parë, nuk është evidentuar asnjë ngjarje kriminale, në dëm të jetës së turistëve apo vizitorëve vendas dhe të huaj. Kanë ndodhur vetëm 2 tentativa të vjedhjes së sendeve personale të shtetasve të huaj, autorët e të cilave janë arrestuar”, tha ai.

Në 6 muajt e fundit, tha Bizhga, policia iu ka ardhur në ndihmë në të paktën 45 raste, policëve që ju rrezikohej jeta.

“Ndihma u ofrua në zona të vështira, në Theth, Valbonë, Kukës, Krujë, Vlorë, Himarë, Përmet e Berat, si dhe në zonat bregdetare të vendit”, shtoi Bizhga.

Në bashkëpunim me homologët e Greqisë, Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe të Malit të Zi policia ka marrë masa edhe për shmangien e radhëve në kufi, ka ngritur njësinë policore detare për monitorimin e ujërave si dhe ka kufizuar qarkullimin te mjeteve të rënda në rrugë. Po ashtu në zonat malore do të ketë shërbime shtesë të policisë, ndërsa plazhet do patrullohen nga punonjës policie me uniformë verore dhe me biçikleta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë