Bota

Shifra alarmante në Brazil, mbi 500 mijë viktima nga Covid 19

Brazili ka kaluar pragun e gjysmë milion vdekjeve të shkaktuara nga Covid-19 që nga nisja e pandemisë në marsin e vitit të shkuar.

Raportet e shtypit lokal, bazuar në të dhënat nga departamentet e shëndetit shtetëror, thonë se vendi tani ka 500,022 viktima nga koronavirusi.

Brazili, deri më tani ka konfirmuar 17,822,659 raste, ndërsa vaksinimi vazhdon ngadalë. Në rreth pesë muaj të fushatës, më pak se 12% e popullsisë tashmë ka marrë të dyja dozat.

Piku i shënuar me mbi 500,000 viktima, përkon me një ditë të re protestash kundër presidentit Jair Bolsonaro, i akuzuar se nuk ka luftuar pandeminë dhe se ka favorizuar qarkullimin e virusit.

Afër 18 milionë persona në Brazil janë infektuar me koronavirus. Ky shtet, që ka popullsi prej 213 milionë banorësh, ka regjistruar pothuajse 100.000 raste të reja dhe 2.000 vdekje në baza ditore.

Vetëm SHBA-ja ka shënuar më shumë vdekje nga COVID-19, ku janë regjistruar pothuajse 602.000 viktima. Por në SHBA, ka rënë numri i infektimeve të reja dhe shumë kufizime janë hequr për shkak të fushatës së vaksinimit.

Megjithatë, zyrtarët shëndetësorë kanë paralajmëruar se i ashtuquajturi varianti “Delta” i koronavirusit, që fillimisht u detektua në Indi, mund të rrisë numrin e infektimeve në javët dhe muajt në vijim, veçanërisht në mesin e personave që ende nuk janë vaksinuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë