Futboll

Shfryn Olimpiakosi: Kampionati më i pistë në historinë e futbollit grek!

Gazeta Si - Qëndrim i ashpër dhe sulm direkt i Olimpiakosit ndaj institucioneve federale dhe arbitrale greke para ndeshjes në transfertë me PAOK-un, me titullin tashmë në duart e AEK-ut të Athinës.

Caktimi i arbitrit Angelos Evangelos në ndeshjen mes PAOK-ut dhe Olimpiakosit për javën e fundit të ‘play-off’-it ka sjellë një reagim të fuqishëm nga klubi i Pireut. Me anë të një komunikate zyrtare, Olimpiakosi e quan kampionatin aktual si "më të pistin e historisë së Superligës”.

Foto ilustruese. gazeta Si, 12 maj 2023

Klubi i madh grek ka bërë me dije se do të ketë një konferencë shtypi, ku "do të ketë një përditësim të veprimeve ligjore, sepse e vetmja rrugë për pastrimin e futbollit grek nga kontrabandistët, kriminelët dhe klandestinët është drejtësia greke”.

Përmbajtja e komunikatës: "PAE OLYMPIAKOS denoncon sërish bandën që ka caktuar një arbitër grek, ndryshe nga sa ishte rënë dakord për një ndeshje që vendos klasifikimin final dhe kualifikimin në kompeticionet europiane, rrjedhimisht edhe arkëtimet e skuadrave për sezonin e ardhshëm.

Nuk ka më sens të përpiqesh të korrigjosh futbollin grek, kur e di kush e ka në dorë dhe e ka transformuar në një dramë, një tragjedi greke. Kampionati më i pistë në historinë e futbollit grek ul siparin me vendimin e radhës provokues.

Me një arbitër grek dhe një VAR portugez këtë herë. Vazhdon kështu kampionati i arbitrave polakë të dehur, i arbitrave kamikazë dhe instrumenteve të tjerë".

Ditët e fundit ka bërë zhurmë finalja e Kupës së Greqisë, ku si alternativë doli edhe Shqipëria për zhvillimin e ndeshjes. Por së fundi është vendosur që kjo finale të luhet në Vollos.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë