Futboll

Mirazhi i kualifikimit, Kosova humbi ndeshjen, por fitoi zemrat e tifozëve

Fati ishte me Kosovën, por jo në masën e duhur që të mbante ende gjallë shpresat për hapin historik; kualifikimin për në Europianin 2020.

“Dardanët” u mundën 2-1 nga Çekia në ndeshjen vendimtare, ku edhe një barazim do të shtynte për në ndeshjen e fundit të grupeve diskutimet për kualifikim mees Kosovës dhe Çekisë.

Barazimi dukej se ishte edhe objektivi i vendosur nga trajneri Bernard Shalandes në këtë takim. Ndeshja nisi me Kosovën larg lojës argëtuese dhe sulmuese që jemi mësuar të shohim. Goli i Nuhiut në minutën e 5-të të pjesës së dytë krijoi mirazhin se gjithçka ishte e mundur, pavarësisht se në pjesën e parë çekët kishin goditur në një rast shtyllën dhe shpërdoruan edhe raste të tjera goli.

Mirazhi u venit brenda 8 minutash. Çekia barazoi me Kral në minutën e 71-të të takimit. Pas këtij goli, në fushë u pa një Kosovë e dyzuar dhe pa përvojë mes përpjekjeve për të mbrojtur barazimin dhe atyre për të gjetur sërish golin e avantazhit. Nga kjo përfituan sërish çekët që në minutën e 79-ë gjetën golin e avantazhit me Celustkan.

Pas këtij goli, Çekia humbi edhe disa raste të tjera të pastra për të shënuar golin e sigurisë, ndërsa për Kosovën, Nuhiu, Celina dhe Rashica nuk mjaftuan në sulm për të mbajtur ende gjallë ëndrrën e kualifikimit.

Humbja shuan ëndrrën e Kosovës për të qenë pjesë e finaleve të Euro 2020 përmes eliminatoreve, por asesi kënaqësinë dhe argëtimin që dhuroi kjo skuadër në fushë për tifozët shqiptarë dhe jo vetëm, sidomos me atë ndeshje të luajtur në Angli e të mbyllur 5-3 për “Tre Luanët”.

Kosova renditet në vendin e tretë me 11 pikë 4 më pak se Çekia e vendit te dytë, ndërsa grupi kryesohet nga Anglia me 18 pikë. Ndeshjen e fundit, sa për statistikë, Kosova e ka të dielën pikërisht ndaj Anglisë në “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Megjithëse kjo ishte mundësia më e mirë për t'u kualifikuar për Euro 2020, ajo s'është mundësia e fundit për Kosovën, që është në lojë për t'u kualifikuar ende përmes UEFA Nations League.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë