Futboll

Shevçenko në Milano, darkë me Maldinin dhe tifozët ëndërrojnë

Sa herë që Andrij Shevçenko shkel në “San Siro”, sjell kujtime të magjishme për tifozët e Milanit. Sot në mbrëmje ai do të jetë në këtë stadium për të ndjekur ndeshjen Atalanta-Shakhtar Donjetsk në Champions League dhe menjëherë kanë nisur të qarkullojnë zërat se ai mund të pasojë Xhampaolon në stolin kuqezi. Një mision pune në fakt për Shevën, i cili duhet të shohë djemtë e kombëtares ukrainase që luajnë me Shakhtarin. Ai po e udhëheq këtë kombëtare me sukses, e ka marrë shumë seriozisht punën, megjithatë te Milani ëndërrojnë.

Ky udhëtim i Shevës në Milano është në fakt një koincidencë që i bën të reflektojnë pjesëtarët e familjes milaniste. Ardhja e ish-sulmuesit të famshëm pikërisht në momentin e krizës së thellë të kuqezinjve, me një trajner që qëndron në fije të perit, me drejtuesit që nuk janë në gjendje të ndalin rënien dhe me një tifozëri që në ndeshjen e fundit e braktisi stadiumin në shenjë proteste ndaj skuadrës. Ukrainasi mbushi 43 vjeç pak ditë më parë dhe ka festuar me ndonjë mik të vjetër në Milano, me Bobanin dhe në veçanti Maldinin.

Paolo dhe Andrij janë miq të ngushtë dhe flasin shpesh. Dhe herën e fundit mund të kenë folur për rikthimin e tij te Milani, por për momentin nuk mund të flitet për një lëvizje të tillë. Te Milani aktual nuk ka vend për imagjinatë romantike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë