Lajme

Sherri politik shqiptar shkon në Bruksel, PD: PE, përjashto Ballën!

Kriza e brendshme politike mes PS-së dhe PD-së shkon në Bruksel, në takimin e radhës të Komitetit të përbashkët të Stabilizim-Asociimit, Shqipëri-BE.

Takimi i sotëm në përbërje të të cilit ka deputetë shqiptarë dhe të Parlamentit Europian, ka nisur me një përplasje jo të vogël. Anëtarët demokratë të këtij komisioni u kanë paraqitur europarlamentarëve letrën e drejtuar kryeparlamentarit Gramoz Ruçi për të përjashtuar deputetin socialist Taulant Balla si bashkëkryetar i këtij Komiteti.

 Kërkesa në këtë mbledhje është paraqitur nga deputeti i PD-së, Genc Pollo që ka kërkuar që të largohet Balla, pasi është e padenjë që ai të drejtojë një komision të tillë.

Teksa socialisti Balla fliste përballë të pranishmëve, Pollo kërkoi fjalën. Ndërkohë drejtuesja e Komisionit, Monica Macovei “kritikoi” Pollon, ndërsa ky i fundit bashkë me përfaqësuesit opozitarë u larguan nga salla.

“Eurodeputetët e sikletosur nga Balla. Ç’të bëjmë, të zemë hundën me dorë e të vazhdojmë punën?! Eurodeputetët kërkojnë zyrtarisht shpjegime për skandalet e Ballës. Balla pasardhës i denjë i Tahirit në këtë Komision; si Tahiri të largohet! Dhe do të largohet. Kjo është e fundit mbledhje e Parlamentit ku Balla është bashkëdrejtues”, tha Pollo.

Pollo duke folur në mbledhjjen e sotme në Bruksel

Pollo kërkoi që Komiteti të mos drejtohet nga Balla, ndërsa ka theksuar se është e padenjë që ai të jetë bashkëkryetar.

“Është e padenjë që Balla të jetë bashkëkryetar. Turp për mazhorancën në Tiranë që nuk e ndërroi. Turp për ne të gjithë që e toleruam edhe në Bruksel”.

Pas këtij qëndrimi, deputetët e opozitës kanë bojkotuar mbledhjen e Komitetit.

Ndërsa bashkëdrejtuesja e këtij Komiteti, europarlamentarja rumune Monica Macovei duke ia ndërprerë fjalën i është drejtuar se “këto që po thoni ju janë akuza që nuk janë faktuar, janë të pavërteta”. Ajo kërkoi nga deputetët e opozitës të respektojnë rendin e ditës, ndërsa theksoi se me largimin nga mbledhja deputetët tregojnë se janë kundër dialogut.

Por kjo ka pasur një përplasje jo të vogël mes Pollos dhe Macovei, ku kjo e fundit i ka kërkuar demokratit që të respektojë rregullat e Parlamentit e të mos ndërhyjë. Madje ajo i ka ndërprerë dhe fjalën, duke i cilësuar si jo normale ndërhyrjet e Pollos, duke ia bllokuar mikrofonin.

“Ne jemi këtu për të mos mbrojtur partitë politike, por ne jemi për të mirën e popullit shqiptar, për të avancuar në procesin e integrimit në çeljen e negociatave”, deklaroi Macovei.

Pollo në një postim në Facebook shkruan se “Edi Rama nguli këmbë, ndoshta më shumë nga halli sesa nga qejfi, që Taulant Balla të mbetet fytyra parlamentare e Shqipërisë kundrejt Parlamentit Europian e Bashkimit Europian. Kjo është mënyra më efektive për të diskredituar Shqipërinë para Europës mbasi i u mbushën radhët e deputetëve e kryebashkiakëve socialistë me soj e sorollop banditësh. Pse duhet që i pari i delegacionit parlamentar në Bruksel të jetë boçe e brekushe me begot, beçot, rrajot e të tjerë si ata. Apo tani që na doli ministri për Europën në biseda me bandat kush pyet për Taulantin”, shkruan Pollo në Facebook.

Socialisti Balla ka reaguar ndaj këtyre qëndrimeve, duke i bërë një apel të fortë kryedemokratit Lulzim Basha. “Lulzim! Tërhiqe urdhrin për rrëmujë që u ke dhënë deputetëve të tu në delegacionin e Shqipërisë sot në Parlamentin Europian. Mos e turpëro vendin tënd edhe hapur se pas kuintave “me anonime” e bën përditë. Të presim të dy me qetësi vendimet e gjykatës dhe prokurorisë!”, shkruan Balla.

Pas largimit të opozitës nga mbledhja e Komisionit të Përbashkët Nderparlamentar Shqipëri-BE, ne Bruksel, Taulant Balla gjatë fjalës së tij u shpreh se nëse një nga gjithë ato akuza që Genc Pollo i drejtoi në këtë mbledhje është e vërtetë, atëherë ai është i gatshëm që të përballet në Gjykatën e Brukselit.

“Mesa duket ju të gjithë që jeni këtu e doni vendin tim më shumë sesa opozita jonë, për fat të keq dhe për këtë më vjen keq. Por unë deklaroj se nëse qoftë dhe një nga ato akuza që Pollo hodhi kundër meje, është e vërtete, atëherë jam gati të përballem me gjykatën e Brukselit”, tha Balla.

Më 7 tetor opozita kërkoi largimin Taulant Ballës nga Delegacioni Parlamentar i Stabilizim Asociimit, me akuzën se deputeti socialist shoqërohet me trafikantë droge dhe si i tillë nuk është i denjë për të përfaqësuar në PS.

Opozita e konsideron të papërshtatshëm dhe kundërproduktiv për interesat europiane të Shqipërisë që Taulant Balla të jetë pjesë e Delegacionit Parlamentar dhe bashkëkryesues i Komisionit të Përbashkët të Asociim Stabilizimit me Bashkimin Europian.

Në një letër drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, anëtarët e opozitës në Delegacion, Genc Pollo, Albana Vokshi, Klajda Gjosha, Jorida Tabaku, Aldo Bumçi dhe Oerd Bylykbashi, kërkuan zëvendësimin e Ballës me një tjetër socialist.

“Ne besojmë se jeni i informuar për lidhjen shoqërore e  familjare të deputetit Taulant Balla me shtetasin Edmond Bego, i dënuar me 21 vite burg nga gjykatat italiane për trafik droge.  Ky shtetas, pas vitit 2013 ka përfituar rreth 14 milion Euro nga kontratat publike, më së shumti në zonën zgjedhore të z. Balla.  Gjithashtu besojmë se ju jeni vënë në dijeni se sipas dëshmisë të nënkomisarit të policisë Emiliano Nuhu , deputeti Taulant Balla bashkë me deputetin Rrahman Rraja, me  të vëllain e të birin e këtij të fundit kanë  hyrë në zyrën e nënkomisarit  në stacionin e policisë Fushë-Krujë dhe e kanë kërcënuar;  vëllai i deputetit Rrahman Rrahja i ka  drejtuar pistoletën në kokë duke i kërkuar mosarrestimim e mosfillimin e hetimit ndaj shtetasit Rexhep Rraja ,i birit i deputetit, në vijim të kallëzimit të znj Xhisiela Maloku për përdhunim e plagosje në dëm të saj. Edhe burime e prova të tjera duket se konfirmojnë kallzimin e znj Maloku dhe deklarimet e nënkomisarit Emiliano Nuhu përkundrejt mohimit nga deputeti Balla se ka qënë pjesë e kësaj ngjarje. Në këto rrethana gjykojmë se deputeti Taulant Balla është jo vetëm i papërshtashëm për postin e sipërpërmendur në Komisionit të Përbashkët por edhe kundërproduktiv në optikën e Bashkimit Europian. Për këtë arsye ju kërkojmë që bazuar në nenin 7/3 të Rregullores së Kuvendit brenda datës 15 Tetor të përcaktoni në këtë post një deputet tjetër nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste”, thuhet në letrën e deputetëve të opozitës, drejtuar kryeparlamentarit Gramoz Ruçi.

Miratohet Rezoluta, Balla: Keqardhje për teatrin e PD

Pavarësisht se deputetët e opozitës nuk ishin të pranishëm në mbledhjen e Komitetit të Asociim-Stabilizimit, rezoluta e përbashkët u hodh për votim. Bashkëkryetarja e Komitetit, Monica Macovei u shfaq premtuese, duke deklaruar se votimi nuk do të zgjasë, edhe pse kishte një numër jo të vogël të amendamenteve të paraqitura, duke nënkuptuar se kjo kohë e fituar vjen nga mungesa e opozitës shqiptare në këtë mbledhje.

Europarlamenti Eduard Kukan i kërkoi Macoveit se nga praktikat e kaluara kur ka munguar opozita nuk ka pasur votim të deklaratës, por bashkëkryetarja rumune ka deklaruar se në maj të vitit 2016 është amenduar rregullorja dhe se rezoluta kalon në votim, pa pasur këtë klauzolë që përdorur në të shkuarën si praktikë.

Në shqyrtim janë marrë amendamentet e paraqitura nga deputetët e Parlamentit Europian dhe atyre shqiptarë. Ndërsa ka pasur edhe amendamente të paraqitur nga ana e demokratit Genc Pollo, por ato janë rrëzuar nga anëtarët e Komitetit.

Ndërsa rezoluta është votuar me votat pro edhe të deputetëve Partive Popullore Europiane, një grupim i djathtë në Parlamentin Europian në të cilën bën pjesë PD si familje politike.

Komiteti ka votuar një amendament të propozuar nga bashkëkryetari shqiptar Balla, i cili kërkonte që t’i drejtohet  BE-së për hapjen e negociatave në qershor të vitit 2019.

“Faleminderit Parlamentit Europian, grupeve më të mëdha politike nga e djathta në të majtë, për miratimin me unanimitet të Deklaratës Përfundimtare të Komitetit të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, e cila fillon me këtë fjali:  Rishprehim mbështetjen e plotë për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian në Qershor 2019. Jam krenar që Shqipëria ka këtë mbështetje kaq të madhe në PE. Shënim: Jam i keqardhur për teatrin e radhës së opozitës edhe këtu, ku duhet të jemi të gjithë bashkë për Shqipërinëqë Duam”, shkruan Balla në Facebook.

Pas këtij votimi ka ardhur edhe reagimi i nënkryetarit të këtij Komiteti deputetit të PD-së, Genc Pollo.

“Përfaqësuesit e opozitës dorëzojnë memorandume sqaruese në Komisionit të Përbashkët të Stabilizim Asocimit. Sot në mbledhjen e Komisionit të Përbashkët të Stabilizim Asocimit shpjeguam gojarisht e dorëzuam memorandume sqaruese se është tallje me dinjitetin e njeriut dhe dinjitetin e ligjit të diskutojmë për luftën kundër krimit, drogës e korrupsionit e të miratojmë deklarata ndërkohë që mbledhjen e (bashkë) kryeson Taulant Balla. Mendoj se edhe shumë deputetë normalë të mazhorancës dhe i gjithë opinioni publik bie dakord për sa më lart.

Bien dakord edhe shumë eurodeputetë të informuar, pavarësisht se ata ruajnë aparencat dhe thonë me të drejtë se kjo çështje duhej zgjidhur në Tiranë. Por Rama e Ruçi nuk deshën të pranojnë një zgjidhje të thjeshtë që u propozuam para një jave. Të emëronin një socialist normal (ka ende të tillë) në krye të delegacionit parlamentar. Pse nuk e bënë e dinë ata”, deklaroi Pollo. Ndërsa demokrati i ka kthyer përgjigje edhe qëndrimeve të europarlamentarit Knut Fleckenstein, i cili u shpreh se “s’mund të bëjë as prokurorin e gjykatësin në lidhje me akuzat e ngritura ndaj Ballës”.

“Ndonjë deputet thotë se kjo çështje sqarohet në gjykatë. E drejtë edhe kjo. Aty do të sqarohet në një ditë jo të largët. Por hë për hë prokuroria e gjykatat janë me probleme e nuk para merret me skandalet e qeverisë. Pastaj politika është për të vepruar shpejt kur ka bazë e jo me vite. Dhe Balla i ka pranuar një pjesë të fajësimeve  Eurodeputetë kërkojnë sqarime nga Ekzekutivi i tyre për raste Bego, Beço, Rrajo etj. Interesante të ndjekim zhvillimet. Eurodeputetët mund të mos kenë mekanizëm procedural për ta larguar Ballën. Por, siç e thanë, do zënë hundën me dorë e vazhdojnë një orë punë. Por të mos presim nga Parlamenti Europian të na zgjidhi problemet një më një. Balla është problemi i radhës i Rilindistave Aty ku lindi atu duhet zgjidhur: në Shqipëri! Memorandimet do të bëhen publike nga BE në ditët në vijim​”, theksoi Pollo.

Edhe pse palët u konfliktuan në mbledhjen e Komitetit, palët nuk kanë ngurruar që të ulen edhe të drekojnë së bashku. Kjo ka shërbyer që deputeti i PS-së, Fate Velaj të bëjë ironi me opozitarët bojkotues. “LIVE NGA EU PARLAMENT. Nëse opozita ishte kundër ardhjes së Taulant Ballës në EU Parlament dhe përfaqësimit të tij si kryetar i komitetit AL-EU-AL, duhet të ishte ngritur e larguar kur Taulanti mori fjalën gjatë drekës dhe mbajti një fjale plote mesazhe mbi të ardhmen europiane të vendit tonë. Apo, i kishte këputur uria dhe thanë, jemi që jemi, hamë pak se nuk i dihet darkës dhe e shtymë bojkotin për në salle. Ajo që ata bënë, ishte thjesht një XING ME ERMALIN”, shkruan deputeti socialist.

Foto nga dreka ne Parlamentin Europian, ku demokratet e socialistet jane bashke

Takimi i Komitetit mund të jetë i fundit që mbahet me europarlamentarët e Komitetit, pasi në vitin e ardhshëm Europa do të përfshihet në zgjedhjet e Parlamentit Europian e një pjesë e tyre mbase nuk mund të  rizgjidhen. Deputeti socialist Balla bëri të ditur se takimi i 14-të i Komitetit do të zhvillohet në Shqipëri vitin e ardhshëm, duke shtuar se ka propozuar që të mbahet në shkurt, për shkak se më pas Europa përfshihet nga zgjedhjet. Në të kundërt do të zhvillohet në vjeshtë, ku Parlamenti Europian do të rifreskohet dhe me europarlamentarë të tjerë.

Debati në Bruksel mes Pollos dhe europarlamentares Macovei

Pollo: Zonja kryetare a mund të ndërhyjë për procedurë

Macovei: Nuk iu kam dhënë të drejtën e fjalës, zoti Pollo. Këtu ndjekim rendin e ditës

Pollo: Zonja kryetare ne kemi një amendament gojor.. Ka dërguar amendamentin në kohën e kërkuar. Kërkoj të drejtën time procedurale.

Macovei: Kalojmë në miratimin e përbërjes së delegacionit. Kush është dakord? Miratohet!

Pollo: Jo nuk nuk miratohet, unë kam diçka për të shtuar.

Macovei: Keni 30 sekonda kohë për folur

Pollo: Zonja kryetare, të nderuar kolegë dua të ngre një çështje shqetësuese. Një drogaxhi i dënuar në Milano me 22 vite, i cili ka marrë 40 milionë euro nga kontratat  shtetërore, kryesisht në zonën zgjedhore të bashkëkryetarit (Ballës) dhe kjo nuk është drogaxhiu i vetëm në fotografi me bashkëkryetarin, ka edhe një një tjetër i kapur i dënuar dhe i kapur në përdhunim për të cilin bashkëkryetari ka lidhje..

Macovei: Më vjen keq kanë kaluar 30 sekonda…

Pollo flet pa mikrofon: Është e padenjë që Balla të jetë bashkëkryetar. Turp për mazhorancën në Tiranë që nuk e ndërroi. Turp për ne të gjithë, po e toleruam edhe në Bruksel Turp për mazhorancën në Tiranë që nuk e ndërroi. Turp për ne të gjithë, po e toleruam edhe në Bruksel”.

Macovei: Kjo nuk është pikë procedurale.. Ne e kemi kontrolluar, kjo nuk është e vërtetë. Nëse keni ardhur këtu për ta bojkotuar këtë takim atëherë po tregoni se nuk dëshironi që të keni një dialog konstruktiv politik, ju keni ardhur këtu për të lexuar një deklaratë politike. Faleminderit që keni ardhur këtu për ngrënë drekë


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë