Arsim

Sherri Kule-Koni mban peng 1500 studentë të ekonomikut pa diploma

Studentët e masterit në Fakultetin e Ekonomisë, kanë ditë që gjenden përballë zyrave të rektoratit të universitetit të Tiranës, për të kërkuar shpjegim se përse nuk tërheqin dot kartonët e diplomimit. Ata i janë drejtuar me një peticion me 150 firma Rektoratit dhe Fakultetit Ekonomik.
Por cila është arsyeja që studentët janë detyruar të dalin në protestë dhe prej një viti të mos marrin shpjegim?
Drejtori i kurrikulave në Universitetin e Tiranës, Albano Zhapaj i tha Gazetës “Si” se çështja është tërësisht ligjore, pasi Fakulteti Ekonomik dhe QSHA kanë shkelur legjislacionin e arsimit të lartë.
“Neni 74 i ligjit të arsimit të lartë dhe ky është rregullator. Nuk bëhet fjalë për 315 studentë si po thuhet kudo. Çdo vit Fakulteti i Ekonomisë pranon 2800 student, bachelor 1280, master shkencor 605, master profesional 880 dhe nuk mund të regjistrohen mbi këto kuota. Në vitin 2016-2017 kanë shkuar kuotat nga universiteti i Tiranës për t’u matrikulluar në QSHA. Legjislatori në ligjin 80, 2015 për arsimin e lartë në nenin 74 në pikën 3 ka përcaktuar që institucionet e arsimit të lartë në bazë të regjistrimit përfundimtar të studentëve dërgon të dhënat e studentëve për matrikulim. Akti nënligjor që e përforcon ligjin është udhëzimi i ministrit të arsimit, për vitin 2017 përcakton mënyrën se si regjistrohen studentët. Ne nuk mund të regjistrojmë studentë si duam ne dhe studentët nuk mund të regjistrohen si duan ata” shpjegon Zhapaj.

Nga ana tjetër kryengritjes së studentëve i është përgjigjur i është përgjigjur edhe Dhori Kule, dekani i Fakultetit Ekonomik. Në një deklaratë për mediat ai është shprehur se diplomat duhen firmosur vetëm nga rektorati pasi ka 7 muaj që janë dërguar atje.“Diplomat janë atje, janë përpjekur dje ose pardje ti kthenin, ja kthyem mbrapsh dhe diplomat janë atje. Janë prodhuar sipas procedurave ligjore, kanë ardhur tek unë, i ka plotësuar sekretaria me fotografi me gjithë të dhënat, janë verifikuar, i kam firmosur dhe kanë shkuar për tu firmosur në rektorat. Këto kanë filluar që nga muaji tetor-nëntor i muajit të kaluar. Janë 344 diploma në rektorat që presin vetëm firmën nga rektori. Ky problem do të zgjidhet se s’bën,” është shprehur Kule për mediat.

Gjithashtu edhe Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, ka urdhëruar lëshimin e diplomave të studentëve nga UT.

Në një njoftim për mediat nga ministria, thuhet se studentët i kanë shlyer të gjitha detyrimet dhe matrikullimi i tyre nga QSHA ka qenë konform ligjeve dhe akteve në fuqi, kështu që nuk ka asnjë arsye për vonesat e shkaktuara nga UT.


“Në vitin 2017-2018 nuk vijnë listat edhe pse rektorati ka kërkuar listat, kanë vazhduar regjistrimet dhe i ka dërguar në QSHA. Listat hidhen në database-n e rektoratit, verifikohen të dhënat dhe më pas kalohen në QSHA nga rektorati. Listat e këtij viti nuk janë 2800. 315 studentë janë ata që janë diplomuar tani, por janë në proces diplomimi shumë të tjerë që po vijnë, pra gjithsej për vitin 2017-2018 qershorin që vjen do të gjendemi me 2800 diploma, që numri i matrikullimit nuk është marrë nëpërmjet Rektoratit sepse ne nuk kemi asnjë të dhënë për këta studentë. Pyetja jonë është si ka mundësi që QSHA jep numra matrikullimi pa i dërguar ne listat, për një fakultet të vetëm dhe nuk e bën me të tjerët. Ne kemi edhe fakultete të tjera sepse të gjithë kalojnë këtu. Pse fshihen listat, pse nuk sillen këto lista?,” shpjegon Zhupaj.
Pavarësisht burokracive studentët janë ata që dëmtohen. Ata kanë deklaruar se brenda 10 ditësh duan që të kenë diplomat në të kundërt çështja do të kalojë në gjykatë, pasi po presin rreth 1 vit për diplomat.
Zhupaj i shpjegon Gazetës Si se kjo çështje nuk është vetëm një ngerç, por prej dy vitesh është kryer në fenomen, pasi edhe në vitin 2018-2019 është bërë e njëjta gjë.

“QSHA i vijoi këto procedura dhe e kanë përsëritur këtë procedurë dhe për dy vjet rresh janë marrë 5500 numra matrikulli që nuk kanë kaluar në rektorat, kështu kjo gjë do të përsëritet. Edhe për këtë vit nuk na kanë ardhur listat, por ndodhi diçka. Në moment që ne e dërguam këtë çështje në prokurori për të verifikuar këto veprime në kundërshtim me ligjin, këtë vit nuk janë matrikulluar listat. Në rast se QSHA dhe ministrja pretendojë se numrat janë dhënë në mënyrë të ligjshme më parë, pse këtë vit nuk janë dhënë numrat e matrikullimit për Fakultetin Ekonomik?,” përfundon Zhupaj për Gazetën “Si”
Pavarësisht arsyeve të renditura për veprimet e institucioneve arsimore, mos lëshimi i diplomave është një problem i hapur dhe studentët kërkojnë një zgjidhje.

Copyright © Gazeta "Si" Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë