Lajme

Sherr masiv greko-shqiptar në Athinë; 6 të plagosur

Gjashtë persona kanë mbetur të plagosur pas një sherri masiv mes një grupi të rinjsh shqiptarë dhe një grupi grek. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të së hënës, në zonën e Gerakas, në lindje të Atikës.

Sipas mediave greke, tre shtetas shqiptarë kanë mbetur të plagosur nga plagët e marra nga goditjet me thikë, ndërsa një shtetas grek ndodhet në gjendje të rëndë si pasojë e një plumbi që ka marrë në nofull.

Motivet e përplasjes mbeten ende të paqarta. Burime nga policia greke thonë se grupet rivale kanë lënë takim për “t’u sqaruar”, sqarim që ka përfunduar me gjashtë të plagosur.

Nuk dihet ende nëse pas këtij sherri masiv qëndron ngjarja e ndodhur në Bularat ditën e dielë, ku minoritari grek, Konstantinos Kaçifa u vra nga forcat RENEA pasi qëlloi në drejtim të policisë dhe terrorizoi më parë fshatin me breshëri kallashnikovi.

Ngjarja shkaktoi reagimin e Athinës. Ministria e Jashtme greke, që tashmë udhëhiqet nga vetë Kryeministri Alexis Tsipras e cilësoi të papranueshme “humbjen e jetës”, ndërsa Kryeministri Edi Rama reagoi përmes rrjeteve sociale.

Dy deklaratat përmbajnë nota përplasjeje diplomatike mes dy vendeve, ndërkohë që ngjarja është deformuar në mediat greke, ndihmuar edhe nga deklaratat e ish-kreut të OMONIA-s, Leonidha Papa.

Në një intervistë për mediat greke, Papa pretendon se policia shqiptare ka dhunuar të ëmën e Kaçifas dhe hamendëson se 35-vjeçari mund të jetë ekzekutuar më parë nga forcat RENEA, që më pas kanë qëlluar me armë për ta bërë ngjarjen sikur ka patur shkëmbim zjarri.

“Ai nuk donte të vriste njeri, se po të donte do të kishte vrarë”, thotë Papa, duke justifikuar edhe plumbat e derdhur nga ekstremisti grek në drejtim të patrullës së policisë shqiptare paraditen e së dielës.

Versioni i grekëve është se Kaçifa u zemërua pasi policia shqiptare i hoqi një flamur grek që kishte vendosur në fshat. Por, ky pretendim rrëzohet nga vetë ministrja greke e Kulturës, e cila ishte e pranishme gjatë ceremonisë përkujtimore të ushtarëve të rënë në varrezat e Bularatit.

“Asnjë flamur nuk është ulur, të gjithë valëviteshin. Cdo gjë ka shkuar shumë qetë me pjesëmarrjen e dy përfaqësuesve të qeverive homologe. U njoftuam se një minoritar kërcënonte policinë dhe ka qëlluar me armë i zemëruar për marrëveshjen Tsipras-Rama dhe pasi policia e ka rrethuar dhe i ka bërë thirrje të dorëzohet ai nuk është bindur dhe është vrarë nga policia. Jemi larguar nga Shqipëria qetësisht”, shkruan ministrja Mirsini Zorba në rrjetet sociale.

Por, jo të gjitha mediat greke dhanë këtë variant. Vrasja e të riut është pasqyruar me paanësi nga një pjesë e mirë tyre, ndërsa në rrjetet sociale, faqet satirike greke ngrinin jo pa ironi pyetjen, se çfarë do të ndodhte po të qëllonte një shqiptar në drejtim të policisë greke me kallashnikov?

“Me siguri që do të quhej terrorist, ndërsa kur qëllon një grek policinë shqiptare, është hero kombëtar”, ironizonte një prej komentuesve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë