Futboll

Shënoi golin e parë në Serinë A, Kumbulla: Një përrallë! (video)

5 tetori do të jetë një datë e shënuar për mbrojtësin e Kombëtares, Marash Kumbulla, i cili ka shënuar golin e parë në Serinë A mbrëmjen e së shtunës. Një gol, që i ka hapur rrugën fitores 2-0 të Veronës ndaj Sampdorias. Mbrojtësi 19-vjeçar shënoi me kokë që në fillim të ndeshjes, pas një krosi nga goditja e këndit. Një gol tipik mbrojtësi. Shtypi italian i ka thurur elozhe djaloshit shqiptar, që edhe pse në moshë të re, është shndërruar në titullar fiks në mbrojtjen e Veronës, bashkë me kosovarin Amir Rrahmani.

“Kumbulla 7 – Gjen golin e parë në Serinë A dhe kjo mjafton për një notë të lartë, por duke parë që profesioni i tij është të bëjë mbrojtësin, golit i shtohet edhe një markim gati perfekt nga një farë tipi me emrin Fabio Kualiarela”. Ky është vlerësimi për mbrojtësin kuqezi sa i takon paraqitjes së tij ndaj Sampdorias. Verona mban vendin e 9-të në Serinë A, me 9 pikë dhe pozitiv është fakti që ka 3 javë që merr rezultate pozitive.

https://youtu.be/RQZLxLuwoqM?t=4
Goli i Kumbullës ndaj Sampdorias. Gazeta Si, 6 tetor 2019

Pas ndeshjes, Kumbulla u shpreh shumë i emocionuar. “Është një ëndërr, një përrallë të shënosh në “Bentegodi” dhe Verona të fitojë. Një emocion i jashtëzakonshëm”, - ka thënë mbrojtësi kuqezi për shtypin italian. Trajneri i tij, Juriç, i cili i ka besuar që në fillim të kampionatit, nuk i ka kursyer komplimentet. “Kumbulla është një talent”, - tha Juriç. Futbollisti shkodran është grumbulluar nga trajneri Reja për ndeshjet e Kombëtares me Turqinë dhe Moldavinë dhe nuk është aspak çudi ta shohim titullar, duke pasur parasysh formën që po kalon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë