Lajme

Shënohet viktima e parë nga gripi

Një grua në moshën 61 vjeç ka vdekur nga gripi. Autoritetet shëndetësore bëjnë me dije se gruaja kishte sëmundje kronike të zemrës dhe pësoi një fillim të menjëhershëm të pneumonisë. Ajo ka ndërruar jetë në spitalin "Shefqet Ndroqi" në Tiranë. Sipas buletinit të ISHP, e moshuara ishte e pa vaksinuar.

Infeksionet virale të stinës vazhdojnë të kenë intensitet të lartë edhe në javën e fundit të janarit,  në vendin tonë, por edhe në të gjithë rajonin e Europës. Nga vëzhgimet e ISHP rezulton se 236 persona janë shtruar në spital për trajtim të specializuar, 64 prej të cilëve kanë paraqitur komplikacione.

Në një deklaratë për mediat specialistja e laboratorit të referencës në ISHP, Iris Habibi, tregon se vendi klasifikohet nga OBSH si vend me aktivitet mesatar të gripit. Vendet që janë përballur më së shumti me infeksionet virale janë Tirana, Tepelena, Mirdita, Gjirokastra dhe Gramshi, duke pasur nga 80-100 raste për 10 mijë banorë. Specialistët bëjnë apel se gripi është infektues që nga një ditë para se të zhvillojë simptomat deri në 5-7 ditë pas tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë