Lajme

Vdekja e tretë në radhët e mjekëve, ndërron jetë pneumologu Anibal Byberi

Një tjetër mjek ndërroi jetën si pasojë e Covid-19 në vendin tonë. Anibal Byberi mjeku me origjinë nga Tropoja ka ndërruar jetë në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Ministria e Shëndetësisë bën me dije se mjeku ishte pneumolog dhe përpara se të arrinte në spital po trajtohej në shtëpi.  Mjeku pneumolog vuante nga psoriasis, një sëmundje lëkure dhe obeziteti. Pas viteve punë në vendlindjen e tij, Byberi punoi disa kohë si mjek në burgun 302 , ndërkohë ishte ende pa punë dhe sipas deklaratës së ministrisë këto ditë do të konkurronte në “Mjekë për Shqipërinë”.

Rastet e vdekjeve po shtohen çdo ditë e deri më tani kanë shkuar 166. Mjeku Byberi ishte rasti i tretë nga bluzat e bardha që kanë ndërruar jetë nga Covid-19. Më parë kanë humbur jetën dhe mjeku hematolog Arian Pushi dhe mjeku nga Puka, Hysni Shkjau.

Hematologu Arjan Pushi, ndërroi jetë në spitalin infektiv. Ai ishte 57-vjeç dhe nuk vuante nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese. Gjithashtu dhe mjeku Hysni Shkjau  ndërroi jetë si pasojë e Covid-19, pas disa ditësh që ishte shtruar po në Spitalin Infektiv. Shkaju ishte 69-vjeç dhe kishte punuar 40 vite si mjek,  por vështirësia e infektimit dhe sëmundjeve bashkëshoqëruese nga të cilat vuante bënë që ai të mos e përballonte dot virusin.

Rastet e vdekjeve dhe infektimeve po rriten dita ditës në vendin tonë. Vetëm dje kanë ndërruar jetë 5 qytetarë në spitalet Covid-19 dhe një prej tyre ishte i ri në moshën 47 vjeç, ndërsa 2 të tjerë nuk kishin sëmundje bashkëshoqëruese. Po në të njëjtat nga laboratori i virologjisë u konfirmuan pozitivë me Covid-19123 qytetarë, ndërkohë në të dy spitalet janë 120 pacientë, 18 prej tyre në terapi intensive dhe 6 të intubuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë