Libra

Shënime nga Bodrumi – Kur të grushton Dostojevski

David Denby/ NewYorker - Shumë njerëz do të thoshin se romani i shkurtër i Dostojevskit “Shënime nga Bodrumi’ shënon fillimin e  lëvizjes moderniste në letërsi. (Kandidatë tjerë: Didëroi me “Nipi i Ramoit” shkruar më 1760-ën, por jo i lexuar gjerësisht deri më 1820 dhe,  pa dyshim, “Zonja Bovari” e Gustav Floberit në vitin 1856.)Me siguri, shkrimet e Niçes, teoria e Frojdit mbi neurozën, “Metamorfoza” e Kafkës, “Herzog” i Bellout, “Ankimi i Portnoit” i Filip Rothit, mbase edhe “Shoferi i Taksisë” së Martin Skorcezes dhe gjysma e veprave të Udi Allenit nuk do të ishin të njëjtat pa ekzistencën e këtij teksti idhnak, të paqëndrueshëm dhe të pamenaxhueshëm – rrëfimi i stisur i një Hamleti modern zemërak, një banor i Shën Pjetërburgut “qyteti më abstrakt dhe i paramenduar” dhe një burrë i pazoti për të vepruar dhe po aq i paaftë për të ndalur së turpëruari veten dhe vënë në siklet të tjerët. Një burrë egoist, i vrazhdë, i mjerë dhe i paralizuar.

Dostojevski ka punuar me tekstin më 1863-shin dhe e botoi një vit më vonë në “Epoch” , revistë e botuar nga i vëllai Mikkhaili. “Shënime nga Bodrumi” ndihet si një nxemje për kolosin që vjen më pas, “Krim e Ndëshkim”, megjithatë në disa mënyra është një libër më i pa kompromentuar.  Ajo që të dy trillet letrare ndajnë është një hero vetmitar, nervoz dhe gjaknxehtë dhe një ndjesi e rrugëve të ethshme e të populluara dhe zhytet në Shën Pjetërburg – një atmosferë e paparashikimit të shkujdesur, harresës, harrimit të vetes, mizorisë, fëlliqësisë. Është qyteti modern në ekstreme. Vetë Dostojevski sapo është kthyer nga mërgimi dhe jeta e tij, në Shën Pjetërburg në këtë periudhë,  ishte e fshehtë dhe e dëshpëruar.

Shën Pjetërburg i shekullit të 19-të

Teksti vetë ka qëllim të jetë shkrimi i një burokrati të mesëm qeveritar, i dalë në pension. Trashëgimia e familjes i lejon të lërë punën, të cilën e urren dhe është tashmë në të dyzetat e tij, duke jetuar me një shërbyes,  të cilin e neverit dhe e quan “vrimë miu”. Në shënimet hyrëse, Dostojevski shpjegon se si personazhi, ashtu edhe “shënimet ‘ e tij janë të trilluara, por ai përfaqëson një farë tipi rus, të cilin publiku duhet ta njohë. Njeriu i  bodrumit  (titulli në gjuhën ruse do të thotë falë për fjalë “shënime nga poshtë dërrasave të dyshemesë”) adreson një audiencë imagjinare, së cilës i referohet si “ju” apo “zonja e zotërinj’, me gjasë një grup përfaqësues i rusëve të arsimuar dhe perëndimorë. Ai me radhë ngacmon, fyen dhe e ul veten përpara tyre. Ata janë njerëz të trullosur, beson ai, me ide perëndimore të progresit – ideologjitë e utilitarizmit, socializmit, evolucionit, së mirës më të madhe për shifra më të mëdha e kështu me radhë. Ata gjithashtu janë të dashuruar me idealizmin gjerman – “e mira dhe e bukura” e shkrimeve rapsodike të Shillerit. A është burri i nëndheshëm vetë Dostojevski? Jo, por shpreh shumë nga idetë dhe antipatitë e shkrimtarit; libri është me siguri një introduktë e përshtatshme për Dostojevskin reaksionarin sllavofil, që nxori krye në vitet e tij të fundit të jetës.

Shën Pjetërburgu i Dostojevskit.

Por “Shënimet” është një vepër e matur letërsie, jo një trakt: Dostojevski mund të ketë vendosur idetë e veta në gojën e një njeriu brilant,  por e minon atë si një telash vetë-shkatërrimtar në të njëjtën kohë. Teksti, siç mund të thoshin akademikët, është shumëvleror, me çuditë në vete. Nuk është aq shumë se opinionet e njeriut të nëndheshëm janë të gabuara- me siguri Dostojevski do të mendonte se shumë prej tyre ishin të vërteta, megjithëse të formuluar gjerësisht –por janë të pandashme, si të gjithë opinionet, nga forca personale dhe dobësia, madje edhe patologjia personale. Jemi pashmangshëm subjektivë dhe vetë-justifikues –që  është një nga elementët modernë në libër.

Jemi gjithashtu të papajtueshëm. Njeriu i nëndheshëm thumbon dëgjuesit e tij, kërkon falje, kritikon veten, bëhet agresiv e më pas kolapson sërish. Sërish e sërish. Ai heq rrugicën nën këmbët e tij; ai kupton se është i mbërthyer në burgun e vetë personazhit të tij. Ferri është vetja ime. Askush nuk mund të rrijë me këtë  njeri në shtëpinë e tij për më shumë se gjysmë ore. Ai është i mundshëm – argëtues, gazmor, i ndyrë – vetëm në letër.

Fjodor Dostojevski ishte psikolog përpara se psikologjia të ekzistonte.Portret i Dostojevskit nga  Vasili Perov, 1872

Në pjesën e parë të romanit, njeriu i bodrumit, pasi prezanton veten, ankohet, në mënyrën e tij britëse, nis e ndalo, rreth spektakolarit “Pallat Kristali”,  ndërtuar në Londër (kjo ishte në vitin 1851).  Ai gardhohet kundër gjithçkaje që ndërtesa përfaqëson – kapitalizmi industrial, racionalizmi shkencor dhe çdo lloj modeli i parashikuar, matematikor, i sjelljes njerëzore. A mundet diçka të jetë më bashkëkohore? Mund të imagjinosh lehtë se çfarë mund të bënte Dostojevski me sociologjinë moderne, psikologjinë, teknikat e reklamimit, lojërat e luftërave, votime të çdo lloji. Çfarë ka të gabuar me teknika të tilla, në përdorimin e tyre cinik apo përmirësues, u formulua thjesht nga Sartri, më 1945-ën: “Të gjitha filozofitë materialiste e krijojnë njeriun si objekt, një gur.”

Njeriu i nëndheshëm thotë se, krejt në të kundërt, qeniet njerëzore janë të padepërtueshme, të panjohshme. Nisur nga mundësia, ato mund të mohojnë, sigurinë se dy edhe dy bëjnë katër. Përse? Për shkak të së drejtës së vetme për të mohuar  të dukshmen, e cila  mund të jetë më e rëndësishme sesa përfitimi i pranimit të ndrojtur.

Nëse nisni të vajtoni për heroin e tij, ai ju mërzit me aq të vërteta të natyrës sonë të përbashkët sa përfundoni duke vajtuar për veten – për pamjaftueshmërinë tuaj. ‘Shënimet” është ende një libër modern. Ende mund të godasë.

Parashikuesit e sjelljes njerëzore, siç thotë njeriu i bodrumit, zakonisht hamendësojnë se do të veprojmë në të mirë të interesit tonë. Por a e bëjmë? E njëjta pyetje mund të bëhet edhe tani, kur teoria e zgjedhjes racionale është ende një model parashikues për ekonomistët , sociologët dhe shumë të tjerë.

Kur klasa punëtore voton për politikat republikane që do ua reduktojë më tej pushtetin e tyre ekonomik – a po votojnë në interes të tyre? Po liberalët e pasur në favor të taksave më të larta tek të pasurit?  Por  njerëzit që bëjnë zgjedhje të këqija –si për shembull gratë që kanë fëmijë me burra të dyshimtë – veprojnë në interes të tyre? A e llogarisin? Po sikur interesi ynë, siç e interpretojmë, qëndron në refuzimin e asaj që të tjerët duan prej nesh? Ai motiv nuk mund të matet. As mund të dihet, përveçse nga romancierë si Dostojevski. Arsyeja është vetëm një pjesë e temperamentit tonë, thotë njeriu i bodrumit. Individualizmi si vlerë përfshin të drejtën për ta menderosur veten.

Duke na përçartur, njeriu i bodrumit ofron përvojë. Ai u këmben vendet gjashtëmbëdhjetë viteve. Ai është 24 vjeç. Ai rrëfen disa ndodhi të çuditshme nga jeta e tij sociale. Për vite, ai strehoi një mëri kundër një oficeri,  i cili e kishte marrë rastësisht dhe e kishte hedhur në një tavernë. Çasti nuk ishte asgjë, por mëria e tij nuk njohu kufij. Në të njëjtin vit ,e ftoi veten në një darkë organizuar prej shokëve të vjetër të shkollës; ata ishin të padenjë, burra të rinj të pagdhendur – i urrente të gjithë – por sërish digjej për respektin e tyre.

Darka është një katastrofë për të; e bën veten budalla dhe përfundon në fund të darkës,  duke fjetur me një prostitutë të vetmuar,  në një bordello dhe,  më pas flet me të për orë të tëra. Ajo është e zgjuar, vajzë e denjë, në kushte të dëshpëruara dhe ai e përfill, e mëson, e ka frikë. A do të shkojë ajo në shtëpinë e tij dhe ta bëjë burrë? Ai ka nevojë për të më shumë sesa e anasjella.

Elementi modern në “Shënime nga Bodrumi” është triumfi i Dostojevskit në shthurjen njerëzore. Mund të lexohet ky libër si një gjysmë trilli rreth krijimit të një zëri apo si një rast studimi, por nuk mund të shpëtosh pa e lexuar si një akuzë ndaj pamjaftueshmërisë njerëzore të katandisur pa gjurmën më të vogël të vetë-drejtësisë. Nëse nisni të vajtoni për heroin e tij, ai ju mërzit me aq të vërteta të natyrës sonë të përbashkët sa përfundoni duke vajtuar për veten – për pamjaftueshmërinë tuaj. ‘Shënimet” është ende një libër modern. Ende mund të godasë.

Përkthimi  i NazimSaitit:  një histori shqiptare nga bodrumi

Shënime nga bodrumi u botua për herë të parë në janar të vitit 1864, në stinën më të errët të karrierës së Fjodor Dostojevskit.  I shkruar si një ndër të parat romane të autorit, libri vjen gati si doracak i krejt filozofisë së tij duke u bërë kësisoj vepra që do t’i hapë rrugë romaneve të mëdha të mëvonshme, si “Idioti”, “Krim dhe Ndëshkim” apo “Vëllezërit Karamazov”. Vepra e pa dritën e përkthimit në gjuhën shqipe në burgun e Burrelit, kur Nazim Saiti, vuantedënimin për Agjitacion e Propagandë.Burgu i Burrelit ishte kështu për përkthyesin i ngjashëm me Bodrumin e Dostojevskit- terr, mungesë lirie, kushte të mjerueshme  që nuk të garantojnë mbijetesën.Në Burgun e Burrelit, Saiti  përktheu tetë vepra të Dostojevskit. Mundet që në përpjekjen e tij përkthimore të ketë ndihmuar edhe ndonjë  bashkëvuajtës.

I biri i përkthyesit, Sait Saiti, i cili i trashëgoi nga i ati këto tetë vepra të përkthyera nga rusishtja (ironike tingëllon fakti se gjuha e propagandës marksiste-leniniste sillte edhe kryeveprat më të mëdha në historinë e letërsisë), ka thënë se i ati hyri në burg duke ditur tri gjuhë të huaja dhe doli prej andej me njohuri për tri gjuhë të tjera. “Shënime nga bodrumi” është përkthimi i parë i botuar nga shtatë përkthimet në dorëshkrim të Nazim Saitit –me  logon e  shtëpisë botuese “Çabej” –i  cili ka përdorur standardin e vjetër të shqipes me bazë dialektin gegë, por që ka përfshirë frazeologji dhe leksik nga të gjitha viset shqiptare. Fuqia e Shënime nga bodrumi buron kryesisht nga analiza që i bën frymëzimit artistik; nga ravijëzimi i autorit dhe marrëdhënies së tij me subjektin prapa protagonistit dhe raporteve që ky i fundit ndërton me personazhet e tjerë.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë