Politike

Shengeni përplas sërish Ramën me Haradinajn, Basha merr në mbrojtje Kryeministrin e Kosovës

Takimi i tretë rajonal në kuadër të nismës për krijimin e një Shengeni ballkanik risolli në vëmendje përplasjen e fortë mes Tiranës dhe Prishtinës për këtë temë. Kryeministri Edi Rama iu rikthye kësaj teme në konferencën e përbashkët për shtyp me në krah Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, atë malazez, Milo Gjukanoviç dhe kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev.

Rama e cilësoi si të pakuptueshme mungesën e Kosovës dhe tha se me ketë vendim, Prishtina po humbiste shumë, duke u vetëizoluar dhe vetëpërjashtuar nga rajoni. Por, Ramush Haradinaj nuk mendon kështu.

“Ne nuk dëmtohemi nga kjo që ka ndodhur në Tiranë sot. Kosova e ka rrugën e vet, jo të lehtë, pasi jemi të sfiduar si vend. Është mirë që të ndërtojmë Qeverinë sa më shpejt, ata që kanë fituar zgjedhjet. Këtë e ka thënë edhe SHBA. Nuk i kuptoj fituesit pse nuk krijojnë Qeverinë”, deklaroi ai.

https://www.facebook.com/RamushHaradinajOfficial/videos/2218569981778098/

Kryeministri i Kosovës thotë se Shengeni ballkanik shndërron në kryeqendër Serbinë dhe hodhi dyshime se e gjithë lëvizja bëhet për të hequr taksën që Kosova ka vendosur ndaj mallrave serbe. Në fund të daljes së shkurtër për mediat, Haradinaj iu përgjigj jo pa ironizim deklaratave të Edi Ramës.

“Nëse Ramës po i dhimbsen kosovarët, të heqë atë taksën e Kukësit dhe do t’i kishim besuar edhe të tjerat”, iu përgjigj ai pyetjes së gazetarëve.

Në Tiranë, Rama u njoh me këtë deklaratë në daljen e posaçme për mediat shqiptare. Këtu sulmoi ashpër Kryeministrin në largim të Kosovës me termat “i paditur” dhe “gënjeshtar”.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/614522382637689/

“Një ndërhyrje prej një të padituri klasik që merret llokum e më pas mbllaçitet mediatikisht. Zoti Haradinaj është një gënjeshtar që ka gënjyer përsëri, gënjen nga padija apo qëllimisht nuk kam arritur ta zbuloj, as nuk kam ndërmend ta zbuloj, por e vërteta është se ai është gënjeshtar. Nuk ka asnjë kusht dhe asnjë detyrim. Kjo nismë ka thjesht një qëllim të zbatojë marrëveshjet e bëra më parë mes të gjitha vendeve dhe unë dua që në këtë proces të fusim element të tjerë si ajo që ka të bëjë me zhbllokimin e ngërçit për energjinë”, deklaori Rama.

Opozita në Tiranë u rreshtua në krah të Kryeministrit të Kosovës. Lulzim Basha e cilësoi një sjellje rrugaçërore.

“Dënoj sulmin rrugaçëror të Edi Ramës kundër liderëve politikë të Kosovës dhe shpreh ndjesë në emër të çdo shqiptari për këtë akt të papranueshëm! Gjuha e urrejtjes ndaj institucioneve të Kosovës është akt i denjë vetëm për një peng të antishqiptarizmit si Edi Rama! Kosova është shtet i pavarur dhe Shqipëria ka detyrimin të promovojë dhe respektojë pavarësinë e Kosovës dhe institucionet e saj. Koha e vasalitetit të autokratit të korruptuar të Tiranës ndaj armiqve dhe kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës do të marrë fund shumë shpejt!”, tha Basha.

https://twitter.com/lulzimbasha_al/status/1208406894420905984

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë