Politike

“Shengeni” ballkanik, Rama: Mundësi për investitorët dhe turistët kinezë

Kryeministri Edi Rama njohu kryebashkiakët e kryeqyteteve të rajoneve kineze me nismën e ndërmarrë prej tij, Presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe të Kryeministrit maqedonas Zoran Zaev për qarkullimin e lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit, si një mundësi që do t’u ofrojë investitorëve të huaj një rajon me një treg më të zgjeruar dhe më të qëndrueshëm.

Rama foli në Forumin e 4-rt “17+1” të kryebashkiakëve kinezë me kryebashkiakët e kryeqyteteve të vendeve të Europës Qendrore dhe Jugore.

“Para disa javësh bëmë një deklaratë me Presidentin Vuçiç dhe Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zaev. Është një nismë gjithpërfshirëse që do të shkojë më tutje me takimin e Ohrit më 10 nëntor ku janë të ftuar të gjithë liderët e rajonit dhe jo vetëm kaq, por edhe protagonistë të tjerë partnerë ndërkombëtarë në procesin e transformimit të kësaj hapësire nga një zonë konflikti në një hapësirë bashkëpunimi”, tha Rama.

Kreu i Qeverisë tha se kjo nismë do të rrisë kapacitetet dhe larmishmërinë e ofertave për investitorët dhe turistët e huaj në rajon dhe në këtë vështrim duhet të shohin edhe investitorët dhe turistët kinezë.

“Në këtë drejtim e shikojmë me shumë rëndësi krijimin e një hapësire lirie të plotë edhe për rritjen e numrit të turistëve kinezë që vizitojnë vendin tonë. Turizmit kinez, por edhe turistëve të tjerë t’u japim oferta më të larmishme të krijuara bashkarisht dhe do të përfitojmë të gjithë dhe ndikimi i këtij bashkëpunimi do të ndjehet në jetën e të gjithë qytetarëve”, deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë