Politike

Shengeni ballkanik? Panariti: Do ta thellojë borxhin me Serbinë

Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti e cilëson si të dëmshme idenë e krijimit të Shengenit Ballkanik jo vetëm në planin politik e rajonal, por edhe në atë ekonomik. Sipas tij futja në një treg të përbashkët me vendet e Ballkanik, në atë që po trumbetohet me forcë si Shengen Ballkanik është e dëmshme.

“Kjo është si të futësh në një kampionat me rregulla të njehsuara, ku kundërshtari që pa filluar loja është dhjetë pikë para teje. Serbia, ndodhet pikërisht në këtë pozicion edhe raport me ne, pra dhjetë hapa para dhe po keshtu Maqedonia. Ne kemi deficit tregtar me Serbinë prej 120 milion euro, i cili se paku do të dyfishohet nen regjimin e ri federativ”, shkruan Panariti në rrjetet sociale.

Sipas tij, përtej entuziazmit ka një anë të errët dhe kjo është ekonomia! Ai përmend edhe rastin e presidentit amerikan Donald Trump, i cili e ktheu në qendër të politikave tregtare të tij, zbutjen e deficitit tregtar me Kinën dhe shumë vende dhe nuk u impresionua aspak nga “patetizmi” i hapësirave pa rend e pa kufi, por kërkoi dhe imponoi vendosjen e ekuilibrave në tregti, me regjime tarifore dhe fiskale balancuese.

“Dhe rezultatet u shfaqen! Ekonomia Amerikane po lulëzon dhe papunësia është ne minimume historike. Po ne si i kemi bërë llogarite? Apo do të ngrihemi nga zjarri i bashkim Vëllazerimit “Bratsvo jedinstvo””, shkruan Panariti.

Nisma për krijimin e një shengeni ballkanik po kundërshtohet nga ana e opozitës, pasi po lë jashtë Kosovën, e kjo cilësohet nga drejtuesit e LSI-së, si një tradhti e kryeministrit Rama ndaj shteti shqiptar. Në qëndrimet e opozitës kjo shihet edhe si një pengesë për njohjen e mëtejshme të pavarësisë së Kosovës dhe nga shtetet e tjera, apo dhe për bllokim në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë