Politike

Shengeni ballkanik pa Kosovën, Rama: Nisma do të ecë përpara

Kryeministri Edi Rama deklaroi se mungesa e Kosovës nuk do ta ndalojë nismën e ndërmarrë nga ai, Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev të njohur si “Shengeni Ballkanik”.

“Nisma nuk ndalet dhe do të vazhdojë me bindjen se i kemi të gjitha forcat për të zbatuar marrëveshje që janë bërë më parë. I kemi të gjitha forcat për ta kthyer në realitetin e njerëzve atë që ka qenë në mënyrë të përsëritur e dakordësuar në Procesin e Berlinit dhe në kuadër të CEFTA-s, apo edhe të nismave dhe tryezave të tjera.

Ai shprehu keqardhje për mungesën e Kosovës dhe e cilësoi si të pakuptueshme për të refuzimin e ftesës dërguar në Prishtinë.

“Historia nuk tregon në asnjë rast se vetëpërjashtimi, vetëizolimi, mbyllja dhe refuzimi të kenë sjellë ndonjë të mirë, apo të kenë mbjellë pemë me fruta të dobishme për gjeneratat e tjera. Plagët e së shkuarës nuk kurohen me helm dhe acid, nuk jemi të ftuar që t’i shpikim, por mjafton që të shohim sesi kanë funksionuar në realitete të ngjashme dhe si dialogu i kanë çuar popujt dhe vendet përpara dhe u kanë krijuar gjeneratave të tjera kushte shumë më të mira”, u shpreh ai.

Ndërkohë, Presidenti malazez, Milo Gjukanoviç, që iu bashkua këtij samiti ditën e shtunë tha se vendi i tij e mbështet këtë nismë, por la të hapur mundësinë që Podgorica të zgjedhë të jetë anëtare në pika të caktuara dhe jo e të gjithë paktit që mund të arrihet.

Nga ana e tij, Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç foli për një projekt që sjell përfitime të ndërsjellta për të gjithë popujt në Ballkanin Perëndimor dhe premtoi se ditën e hënë, Qeveria serbe do të miratojë një ndihmë të konsiderueshme për Shqipërinë për t’i ardhur në ndihmë për tërmetin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë