Politike

Shembulli nga Kili, a i trembet Meta një shkarkimi dhe po kërcënon me dorëheqje?

Qysh prej 20 shkurtit, kur Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe forcat e tjera të opozitës dorëzuan mandatet e deputetëve, Ilir Metës i është kërkuar me këmbëngulje një koment nga ana e gazetarëve për aktualitetin politik.

Për një muaj me radhë, kreu i shtetit qëndroi i rezervuar përmes deklaratave standarde e diplomatike, duke shmangur gjuhën e drejtpërdrejtë. Ai dënonte djegien e mandateve nga ana e opozitës, por kërkonte gjithashtu nga Qeveria që të lëshonte pe.

Për të dalë me një deklaratë më të drejtpërdrejtë, Ilir Meta shfrytëzoi një udhëtim në Pogradec në kuadër të fushatës së Presidencës për ndërgjegjësimin e qytetarëve për dhënien e gjakut. Presidenti u shpreh më i drejtpërdrejtë. Ai dënoi sërish djegien e mandateve, por cilësoi të jashtëligjshëm zëvendësimin e tyre.

“Sot, Kuvendi i Shqipërisë ka 82 mandate të ligjshme, ku përfshihen edhe ata 3 deputetë të opozitës që nuk pranuan të djegin mandatin. Çdo numër tjetër në Kuvendin e Shqipërisë ka probleme serioze, thellon krizën e përfaqësimit dhe është i kontestueshëm në planin ligjor, politik, moral e kushtetues”, deklaroi Meta.

Në këndvështrimin e Presidentit, mandatet e djegura mund të zëvendësohen lirisht, por zëvendësimi i tyre, sipas tij, nuk zgjidh krizën e thellë politike. Por si mund të zgjidhet kjo krizë? Në kuadër të fushatës së dhurimit të gjakut, që në vetvete është një formë sakrifikimi, Ilir Meta pranon që të vetësakrifikojë jo i vetëm postin që mban, por edhe jetën, këtë të dytën për të shmangur drejtimin e vendit nga një “juntë ushtarake”.

“Jam i gatshëm që nga dorëzimi i mandatit e deri tek sakrifikimi i jetës time si Salvador Allende për të mos lejuar instalimin e një junte”, u shpreh Presidenti.

Juntat ushtarake janë një fenomen i panjohur në Shqipëri. Vërtet Ilir Meta i trembet kësaj, apo i trembet mundësisë që me deputetët e rinj që po marrin mandatin, Edi Rama të kërkojë shkarkimin e tij në Parlament, sapo të sigurojë votat e nevojshme që duhen për këtë hap?

Me siguri nuk mund të flasim as për të parën dhe as për të dytën. E sigurtë është se që prej ditëve para 17 majit 2017, ku Meta si President i Zgjedhur, nënkuptoi se ishte i gatshëm që të refuzonte marrjen e detyrë në korrik nëse kjo lëvizje i shërbente zgjidhjes së krizës mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, e cila protestonte në çadër, ai artikulon për herë të parë lënien e mandatit të kreut të shtetit.

Salvador Allende

Vetëvrasja e Salvador Allende dhe junta ushtarake në Kili

Salvador Allende u bë presidenti i parë socialist i Kilit në vitin 1970, pushet që do ta shijonte vetëm tre vite, pasi gjatë një grushti ushtarak në vitin 1973, ai kreu vetëvrasje.

Kur Allende mori detyrën, Kili po përjetonte një krizë të rëndë ekonomike. Papunësia ishte e lartë dhe rreth gjysma e fëmijëve të vendit vuanin nga kequshqyerja. Allende zbatoi agjendën e tij socialiste, duke rritur pagat dhe duke privatizuar pronat private. Allende privatizoi edhe industritë e bakrit, duke lenë kompanitë amerikane pa kompensim. Ishte pikërisht kjo ajo që rriti armiqësinë e administratës së presidentit amerikan Richard Nixon, i cili filloi të mbështeste kundërshtarët politikë të Allendes dhe izoloi Kilin nga sfera ndërkombëtare.

Në ato kohë të turbullta, Kili ishte një nga tre vendet që po formonte një qeveri radikale të krahut të majtë së bashku me Francën dhe Spanjën. Por presidenti nuk qe kurrë në gjendje të kontrollonte partinë e tij për shkak të ndërhyrjes së qeverisë amerikane, e cila kishte joshur shumë nga kundërshtarët e tij.

Përplasjet e qeverisë dhe opozitën u bënë gjithnjë e më të ashpra, duke bërë që kriza ekonomike të dilte jashtë kontrollit. Grushti kundër tij duket se nisi pasi Komandanti kryesor i Forcave të Armatosura dha dorëheqje, për t’u zëvendësuar më pas nga një prej armiqve të tij.
Përveç kësaj, qeveria Allende ishte përballur me armiqësinë amerikane që nga fillimi dhe padyshim që SHBA-të raportohet se ndihmuan komplotistët. Por arsyet për grushtin e shtetit ishin kryesisht të brendshme. Fundi i tij erdhi me një grusht shteti të dhunshëm më 11 shtator 1973, i cili përfundoi me bombardimin e pallatit presidencial.

Gjenerali i sapo emëruar, Augusto Pinochet udhëhoqi një grusht shteti ushtarak për të përmbysur Allenden, i cili nuk pranoi të dorëzohej. Gjatë rrethimit të pallatit, një numër i madh civilësh u vranë dhe qindra u burgosën. CIA më vonë e pranoi mbështetjen e saj ndaj opozitës politike dhe se kishte dijeni për grushtin shtetit, megjithëse vazhdon të mohojë çdo përfshirje të drejtpërdrejtë në vetë ngjarjen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë