Bota

Shembet ura e mbikalimit në Meksikë, 20 të vdekur dhe 70 të plagosur (Video)

Një urë mbikalimi në Aerotrén, metroja e ngritur e Meksiko Sitit, u shemb gjatë natës, ndërsa një tren po kalonte mbi të. Bilanci paraprak deri tani, është të paktën 20 të vdekur, duke përfshirë disa të mitur dhe 70 të plagosur.

Aksidenti ndodhi pranë stacionit Olivos, në vijën e metrosë 12 në jug të kryeqytetit meksikan. Operacionet e shpëtimit, të pezulluara përkohësisht për shkak të rrezikut të shembjeve të reja, rifilluan pas mbërritjes së fadromave dhe vinçave. Kryebashkiakja e Meksiko Sitit, Claudia Sheinbaum, ka shkuar menjëherë në vendngjarje.

“Do të fillojmë të gjitha hetimet e nevojshme për të gjetur shkaqet e aksidentit", - tha ajo. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 22:30 të mbrëmjes me kohën lokale.

Një video e publikuar nga “Milenio TV”, e marrë nga një kamera sigurie në zonë, tregon momentin e shembjes me urën që rrëzohet mbi makinat që kalojnë nën strukturë.

Në janarin e kaluar, senatori i Pvem, Raul Bolanos-Cacho Cuè, kishte ftuar qeverinë e Meksiko Sitit për të kryer një vlerësim të plotë, teknik dhe administrativ të strukturave të të gjitha linjave të metrosë për të shmangur aksidentet në të ardhmen, si ai që ndodhi më 9 janar kur shpërtheu një zjarr. Aktualisht, metroja e Meksiko Sitit ka 195 stacione në 12 linja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë